Partia Demokratike do të mbledhë ditën e sotme Kuvendin Kombëtar. Për më shumë se 4 orë, mbi 5000 delegatë të Kuvendit Kombëtar do të votojnë për anëtarët e rinj të Këshillit, organi që ka të drejtën të zgjedhë edhe lidershipin e ri në krye të Partisë Demokratike.
Mbledhja pritet të zhvillohet në orën 11:00.
Gjithashtu në këtë takim fokus i diskutimit pritet të jetë analiza e zgjedhjeve të 25 prillit, si dhe do të paraqitet për votim raporti përmbledhës me 13 përfundime, që u kalua të enjten nga kryesi.
Gjithashtu ditën e sotme pritet të marrin pëlqimin edhe 11 propozimet e Lulzim Bashës për ndryshime në statut.
Kujtojmë se në propozimet e tij Basha kërkoi zgjerim të kryesisë, shtim të sekretariateve, kalimin e kompetencës për të vendosur mbi marrëveshjet politike dhe koalicionet nga Kryesia te Këshilli Kombëtar, teksa ka kërkuar të sanksionohet në statut edhe ngritja e një strukture të re vendore Këshilli Koordinues i Qarkut, i drejtuar nga Drejtuesit Politikë dhe që do të funksionojë me mandat të plotë./abcnews.al/