Ministria e Punëve të Jashtme e Palestinës ka reaguar ashpër pas marrëveshjes që nënshkroi Kosova me Izraelin ditën e djeshme për njohjen reciproke dhe mbi të gjitha për vendimin e Kosoveës për të hapur ambasadën e saj Jeruzalem.
Sipas agjencisë së lajmeve Wafa në Izrael, Ministria e Punëve të Jashtme të Palestinës u shpreh se ky vendim i Kosovës dëmton përpjekjet e kësaj të fundit për njohje nga vendet e tjera të botës, ndërkohë ajo i bën thirrje Kosovës që të anulojë vendimin për hapjen e ambasadës në Jerusalem.
“Marrëveshja që Kosova e nënshkroi me fuqinë okupuese (Izraelin) dhe deklarimi i synimit të saj për ta hapur ambasadën në Jerusalemin e okupuar është një hap që bie ndesh me gjithçka që Kosova po përpiqet të bëjë për ta bindur botën ta njohë atë.
Kjo na tregoi, si shtet i Palestinës, dhe grup arab dhe islamik, se ajo [Kosova] e ka injoruar ligjin ndërkombëtar, legjitimitetin ndërkombëtar dhe rezolutat e saj dhe kanë bërë shkelje të qartë dhe haptazi, gjë që do ta bënte të vështirë për çdo vend të mendonte ta njihte atë”, tha Ministria e Jashtme palestineze në një deklaratë.
Ministria e Jashtme i bëri thirrje Kosovës të rishikojë shpejt këtë hap dhe ta korrigjojë këtë veprim të gabuar nëse dëshiron të japë një shembull të angazhimit të saj për ligjshmërinë ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare.
Të hënën u mbajt ceremonia virtuale e vendosjes zyrtare të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit. Pas deklaratave, ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabi Ashkenazi e kanë falenderuar e uruar njëri-tjetrin. Kryediplomati izraelit e ka cilësuar historike ditën e hënë, duke e falenderuar SHBA-në për këtë, ndërsa më pas zbuloi një pllakë me mbishkrimin “Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem, Izrael”.
Njohja e Kosovës nga Izraeli erdhi si pjesë e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë që ishte ndërmjetësuar nga administrata e Donald Trump në shtator të vitit të kaluar. Marrëveshja përfshinte gjithashtu njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Izraelit si dhe zotimin që Kosova dhe Serbia t’i vendosin ambasadat e tyre në Jerusalem.
(E.H/Faxweb.al)