Një ngjarje tragjike ndodhi natën e së dielës në fshatin Gurrë e Vogël të Bashkisë së Klosit në rrethin e Matit. Nënë e bijë vrasin në gjumë kryefamiljarin, Ylber Lezi, 47 vjeç. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, kohë kur në Postën e Policisë Klos ka mbërritur një telefonatë nga kryetari i fshatit, Ibrahim Lezi.
“Në familjen e Ylber Lezit ka shamatë të madhe. Se çfarë po ndodh nuk e di, por duhet të vini sa më shpejt”, janë fjalët e kryeplakut të Gurrës së Vogël drejtuar efektivëve të Policisë. Pas afro gjysmë ore, ata kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe pas kontaktimeve me kryeplakun i janë afruar banesës.
“PO FLE, MOS E ZGJONI”
Efektivët e Policisë dhe kryeplaku kanë thirrur me zë të lartë emrat e pjesëtarëve të familjes, pasi i janë ofruar kullës së vjetër dykatëshe në gjendje tejet të amortizuar. Askush nuk përgjigjej. “Dukej se banesa ishte e braktisur. Nga brenda saj nuk kishte shenja jete. Kryetari i fshatit betohej se kishte dëgjuar britma dhe zhurma të forta, ndërkohë ne nuk po dëgjonim asgjë”, dëshmuan efektivët e Policisë për “Panorama”.
Duke e ditur se kryefamiljari ishte një person problematik dhe përdorues alkooli, ndërsa kishte ushtruar herë pas here dhunë mbi gruan dhe vajzën, është vendosur që Forcat e Rendit të hyjnë forcërisht në banesë. Policia ka hapur me forcë derën hyrëse të banesës së vjetër dhe një nga dritaret, duke u siguruar që të mos ketë ndonjë sulm të mundshëm nga brenda.
“Rreth orës 22:30 në sallën operative të Komisariatit të Policisë Mat, ka ardhur një telefonatë se në banesën e shtetasit Y. L., në fshatin Gurrë e Vogël, Klos, po ndodhte një konflikt në familje. Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë drejt adresës së dhënë, ku shtetasja M. L. ka shfaqur rezistencë duke mos u hapur derën shërbimeve të Policisë. Shërbimet e policisë kanë hyrë me forcë në banesë dhe kanë gjetur me shenja dhune në trup dhe pa shenja jete shtetasin Y. L., 47 vjeç. Janë shoqëruar në Komisariat bashkëshortja, shtetasja M. L., dhe vajza e tyre, A. L., dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Mat, vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin me prova ligjore të saj”, sqaroi Policia.
“Kur hymë brenda,- tha një oficer policie,- gjetëm M. L. të zgjuar, ndërkohë Ylber Lezi ishte mbuluar me disa rroba, sakaq vajza 21- vjeçare A. L. ishte në gjumë. Pas hyrjes tonë brenda u zgjua edhe vajza. Nënë e bijë na thanë: ‘Mos bëni zhurmë, Ylberi po fle, mos e zgjoni’”.
VRASJA
Zbulimi i trupit të 47- vjeçarit i ka befasuar efektivët e Policisë së Matit. “Koka e të ndjerit ishte goditur disa herë me një dru. Me siguri është goditur në gjumë, derisa i kanë shkaktuar vdekjen. Dysheku ishte mbuluar me gjak”, bënë me dije burimet policore. Menjëherë, Policia ka kryer arrestimin në flagrancë të Mine e Aida Lezit. Pas kësaj, trupi i pajetë i 47-vjeçarit është dërguar në morgun e spitalit “Xhavit Mara”, për t’iu nën- shtruar ekspertizës mjeko-ligjore.
ÇFARË DEKLAROI GRUAJA
Pas krimit të rëndë, dy femrat e familjes janë arrestuar nga Policia. “Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 25.07.2021, në fshatin Gurrë e Vogël, Klos, ku u gjet pa shenja jete shtetasi Y. L. Arrestohet bashkëshortja dhe vajza e tyre, si të dyshuara për vrasjen e 47-vjeçarit. Në vijim të veprime të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, i ngritur në Komisariatin e Policisë Mat, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat, në bazë të provave të grumbulluara u bë arrestimi në flagrancë i sh- tetaseve: M. L., 51 vjeçe dhe A. L., 21 vjeçe (nënë e bijë). Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera dyshohet se dy shtetaset e lartpërmendura në bashkëpunim me njëra tjetrën, në banesë kanë goditur me sende të forta duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme shtetasit Y. L. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Mat, për veprën penale ‘Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare’”, sqaron Policia. Ndërsa vajza e të ndjerit nuk ka folur për grupin hetimor, gruaja e tij ka pranuar se e kanë goditur Ylberin me dru në kokë derisa ai ka ndërruar jetë. Ajo është justifikuar me faktin se burri sa herë pinte alkool i rrihte keqas atë dhe të bijën. Familja Lezi jetonte në kushte mjaft të vështira ekonomike, ndër- sa banesa sipas dëshmive të efektivëve kundërmonte erë dhe lagështirë. Dy gratë e familjes kishin probleme të shumta shëndetësore.