Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 55-vjeçar dhe të birin e tij 17-vjeçar, se kanë rrahur dhe kanosur me armë djalin tjetër të shtëpisë, 24 vjeç. Gjatë kontrolleve këtyre personave iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 370 fishekë, 3 krehra, armë e ftohtë (thikë) dhe pjesë të armës së zjarrit (të cilat i kishin hedhur në lumin Erzen). Gjatë momentit të konstatimit të tyre dhe shoqërimit nga shërbimet e Policisë, këta shtetas i kanë kundërshtuar me forcë shërbimet e Policisë

Ndërkohë, në 24 orët e fundit janë arrestuar edhe dy shtetas të tjerë për vepra të ndryshme penale.

Njoftimi i plotë i Policisë së Durrësit:

DVP Durrës / Vijon puna nga strukturat e Policisë Durrës, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.  Bien në prangat e Policisë 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin G. B., 26 vjeç, banues në Napoli, Itali, pasi gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, në PKK Port Durrës, në çantën e shpinës iu gjet dhe sekuestrua një sasi lënde narkotike cannabis sativa.

Shërbimet e Policisë Manzë, në vijim të punës për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës në familje, ndaluan për veprat penale “Dhuna në familje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”, shtetasin F. C., 55 vjeç dhe proceduan penalisht djalin e tij, shtetasin E. C., 17 vjeç, banues në Sukth, Durrës.

Këta shtetas, më datë 22.07.2021, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj shtetasit D. C., 24 vjeç (djali i shtetasit F. C.) dhe dyshohet se e kanë kanosur atë me armë zjarri.

Në vijim të kontrolleve nga shërbimet e Policisë u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 370 fishekë, 3 krehra, armë e ftohtë (thikë) dhe pjesë të armës së zjarrit (të cilat i kishin hedhur në lumin Erzen). Gjatë momentit të konstatimit të tyre dhe shoqërimit nga shërbimet e Policisë, këta shtetas i kanë kundërshtuar me forcë shërbimet e Policisë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, ndaluan shtetasin A. Ç., 25 vjeç, banues Shijak, pasi më datë 12.07.2021, gjatë shoqërimit për sqarimin e rrethanave të një konflikti, ka kundërshtuar me dhunë forcat e Policisë.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin M. Sh., 34 vjeç, banues në Durrës, pasi në aksin rrugor Plepa-Durrës, ka aksidentuar dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit, shtetasin B. D., 55 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.