Jose Mourinho nuk ndryshon. Special One bëhet protagonist edhe në një sfidë miqësore ku bashkë me të, gjyqtari largoi nga fusha edhe tre futbollistë të Romës me karton të kuq.
Verdhekuqtë u mposhtën me rezultatin 5-2 nga Real Betis në një sfidë që vetëm si miqësore nuk dukej pasi tensioni ishte i lartë brenda dhe jashtë fushe me nervat e protagonistëve që kapën maksimumin. Në Benito Villamarin, Mourinho e nisi sfidën me Edin Dzekon që po përflitet për një kalim te Interi në stol dhe blerjen më të fundit Shomurodov që nga minuta e parë në formacion. Sfida u zhbllokua shumë shpejt me Rodrin që kaloi në epërsi Real Betisin pas vetëm 4 minutash lojë. Megjithatë në minutën e 27-të skenën e mori Shomurodov që i asistuar nga Lorenzo Pellegrini realizoi golin e tij të parë me fanellën verdhekuqe. Por barazimi zgjati pak pasi Nabil Fekir shënoi të dytin për andaluzianët në minutën e 30-të duke e çuar Betisin në epërsi në pushim.
Pjesa e dytë nisi mirë për Romën që barazoi menjëherë shifrat me mbrojtësin Gianluca Mancini pas traversës së goditur nga Shomurodov. Por ashtu si në pjesën e parë edhe në fraksionin e dytë Betis e rigjeti shpejt epërsinë pikërisht me Morenon në minutën e 58-të, moment kur u tensionuan edhe gjakrat në fushë. Mbrojtësi i Betis e devijoi topin me dorë në çastin kur e depozitoi në rrjetë dhe këtu nisën edhe protestat e italianëve me Pellegrinin që mori kartonin e dytë të verdhë dhe menjëherë pas tij u ndëshkua edhe Jose Mourinho për protesta. Roma e mbylli ndeshjen me 8 lojtarë pasi minuta më vonë u ndëshkuan edhe Gianluca Mancini e Rick Karsdorp me kartonë të kuqë, ndërsa në superioritet numerik Betis ja doli të shënonte edhe dy herë të tjera me Cristian Tellon dhe Robert për shifrat finale 5-2.
Top Channel