Nipi i boksierit legjendar, Muhammad Ali, Nico Ali Walsh, fitoi ndeshjen e tij të parë në këtë sport si profesionist.
Boksieri i ri nga Shtetet e Bashkuara mundi me knock out 29-vjeçarin tjetër amerikan, Jordan Weeks, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e mediave, anembanë globit. Një fillim i tillë do të konsiderohej premtues për gjithkënd në këtë sport, megjithatë, kur origjina lidhet edhe me emrin e të madhit Cassius Clay, në mënyrë të kuptueshme gjithçka shndërrohet vetvetiu në lajm.
Në “Hard Rock Hotel & Casino”, në Tulsa, 21-vjeçarit nga Chicago i mjaftuan vetëm 70” për të mposhtur kundërshtarin e tij të parë në boksin profesionist. Një fillim vërtet shumë i mbarë, i festuar gjatë në ring bashkë me promoterin e famshëm Bob Arum dhe kumbarin e tij Flavor Flav. Nico Ali Walsh ia dedikoi triumfin e tij të parë gjyshit të ndjerë dhe 21-vjeçari nga Illinoisi shpjegoi se pantallonat e shkurtra me të cilat boksoi në këtë duel i kishte dhuratë pikërisht nga Muhammad Ali.
Ndeshja e organizuar në Catoosa, në Shtetin e Oklahoma-s, ishte e vlefshme për peshën e mesme dhe Nico Ali Walsh pozicionohej në vendin e 845 në klasifikimin e përgjithshëm në rruzull sa i përket peshës nga 69,85 – 72,57 kilogramë, sidoqoftë nipi i Clay-t mbylli gjithçka në thjesht diçka më tepër se një minutë, duke rënë shpejt në sy dhe bërë për vete gjithë rrjetet mediatike, sigurisht për shkak edhe të prejardhjes së tij.
Nico Ali Walsh është djali i Rasheda Ali, vajzës së boksierit të pavdekshëm amerikan, që ndërroi jetë në moshën 74-vjeçare në një spital të Arizonës, pasi vuante prej tri dekadash nga Parkinsoni. Në deklaratën e dhënë menjëherë pas sfidës së tij të parë në boksin profesionist 21-vjeçari e përshkroi si një udhëtim emocionues gjithë rrugëtimin e tij të deritanishëm në karrierë dhe Nico Ali Walsh shtoi se për momentin gjithçka është brenda pritshmërive.
Ali Walsh në fund e mbylli fjalën e tij duke thënë se i mungon së tepërmi gjyshi i ndjerë dhe madje vazhdon të mendojë akoma shumë për të. Muhammad Ali fitoi në tre raste të ndryshme titullin botëror të peshave të rënda, për t’u konsideruar nga shumë vetë si më i madhi i të gjitha kohërave në këtë sport. Paralelisht me karrierën e tij sportive Nico Ali Walsh po diplomohet gjithashtu edhe në fushën e biznesit. Ali Walsh ka për promoter të madhin Bob Arum. 89-vjeçari i mirënjohur njujorkez vazhdon të drejtojë Kompaninë Promocionale të Boksit Top Rank dhe për më tepër në të kaluarën Bob Arum ka promovuar gjithashtu edhe 27 nga 61 ndeshjet që ka zhvilluar në total Clay, në karrierën e tij si profesionist./SuperSport/