Top Channel zbardh ngjarjen e përndjekjes së një vajze nga një bashkëmoshatar i saj, të cilin e kishte njohur në Instagram. Pas takimit të parë gjithçka ka shkuar keq dhe ka përfunduar me arrestimin e djalit nga lagjja Kombinat në Tiranë.
Ja historia e përndjekjes:
Një vajzë 25-vjeçare nga Tirana paditi një të ri, të cilin e kishte njohur në rrjetin social Instagram i cili e përndiqte. Gjithçka nisi pasi vajza kishte folur dy muaj më parë me një 27-vjeçar me inicialet I.P (Top Channel ka të dhënat e plota).
Dy të rinjtë janë takuar në një kafe dhe në fund, 27-vjeçari e ka përcjellë vajzën me makinë në shtëpinë e saj. Atë ditë djali i ka rishkruajtur sërish vajzës në Instagram por ajo i bëri me dije se nuk dëshironte të kishin më kontakte me njëri-tjetrin pasi nuk i pëlqeu si person. Ai vazhdonte të këmbëngulte që të vazhdonin të njiheshin, kështu që e hoqi nga miqtë e saj në rrjetin social Instagram dhe e bllokoi, me qëllim që të mos i shkruante më, pasi nuk ndalonte. Në këtë moment dyshohet se ku shtetas ka hapur profile në rrjetin social Instagram me emrin dhe fotot e kallëzueses dhe i ka shkruar vazhdimisht. Vajza i tregoi policisë se i ka kërkuar të mos e shqetësojë më, por ai ka vazhduar duke i shkruajtur dhe kërcënime, dhe gjithashtu duke i shkruar me ato profile false edhe kolegëve të vajzës, si dhe shoqeve të saj çdo ditë.
Prej disa ditësh jeton në stres, pasi ky person, sipas vajzës i jep përshtypjen se është i paparashikueshëm dhe nuk di të ndalojë. Shton se në të gjitha profilet që ka hapur, dhe vazhdon të hapë, ka edhe ofendime për imazhin dhe familjes e saj. Disa nga adresat e profileve që dyshohet se ka hapur 27-vjeçari përmbajnë fotot e vajzës dhe janë gjithsej 13.
Vajza i ka treguar policisë se edhe pas kallëzimit që i ka bërë ka marrë kërcënime. Ai vijonte t’i telefononte edhe kolegëve të saj në punë duke i kërkuar që të fliste dhe e ka ndjekur atë duke u rregjistruar në të njëjtën palestër në zonën e Komunës së Parisit. Sipas policisë në këtë mënyrë ai ka kryer krimin e përndjekjes.
Për të gjitha këto arsye është kërkuar që ndaj 27-vjeçarit nga kombinati, të merret masa e arrestit me burg për krimet e përndjekjes dhe falsifikimit kompjuterik.
Top Channel