Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, ka reaguar pas finalizimit të mega-operacionit të zhvilluar nga autoritetet spanjolle shqiptare dhe gjermane për shkatërrimin e një grupi kriminal shqiptar.
Në reagimin e tij, Çuçi ka theksuar se kjo nuk do të mbyllej me kaq dhe se do të vijonin hetimet për pasurinë që të implikuarit kanë në Shqipëri.
Postimi i Plotë
Policia Shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Spanjolle dhe atë Gjermane, me mbështetjen e EUROPOL, përmbyllën një mega-operacion në Spanjë, kundër krimit të organizuar në fushën e narkotikëve, me origjinë shqiptare. Organizata e goditur është transnacionale, e përfshirë në trafikimin dhe kultivimin e gjerë të marijuanës.
Oficerë të Policisë së Shtetit operuan në Spanjë së bashku me kolegët e tyre, për çmontimin e grupit. Por hetimet nuk do të ndalen këtu, pasi do të vijojnë me hetimin e burimit të pasurive në Shqipëri, të gjithë personave të implikuar.
Ky është një tjetër operacion ndërkombëtar që dëshmon kapacitete në nivele të larta profesionale dhe besueshmërinë e Policisë Shqiptare.
Megjithatë jemi të vetëdijshëm se kemi ende shumë punë përpara, për të renditur Policinë e Shtetit brenda mandatit të tretë, mes Policive të vendeve europiane. Gjithashtu për ta bërë Shqipërinë një vend më të sigurt, për të ardhmen e fëmijëve tanë.