Konflikti i heshtur mes zyrës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe asaj të Prokurorit të Përgjithshëm për ndarjen e kompetencave të emërimeve, duket se tashmë ka dalë në sipërfaqe.

Kjo pasi nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm është krijuar një draft-ligjor, ku kërkohet që titullarit të Prokurorisë Shqiptare, ti kthehen pjesërisht disa prej kompetencave të tij ligjore.

Ora News mëson nga burime të prokurorisë, se Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela, ka përgatitur një draft ligjor, të cilin e ka dërguar qysh prej fillimit të muajit gusht për diskutim në Komisionin e Ligjeve pranë Parlamentit.

Ky draft ligjor i hartuar nga specialistët ligjorë të Prokurorisë së Përgjithshme, konsiston në faktin për ndarjen e kompetencave dhe kthimin e disa mekanizmave ligjorë tek Prokurori i Përgjithshëm.

Burimet thanë për Ora News, se drafti e vendos theksin më tepër tek kompetencat e emërimeve dhe transferimeve të prokurorëve, kompetencë kjo që para ndryshimeve kushtetuese të vitit 2017, ka qenë ekskluzivitet i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.

Me draftin e ri, kryeprokurori Olsian Çela, kërkon që kjo kompetencë ti kthehet pjesërisht, duke marrë eksluzivitetin e emërimit dhe transferimit të drejtuesve të Prokurorive në rrethe.

Ndërsa emërimet dhe transferimet e prokurorëve të thjeshtë ti lihen Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

ORA TV