Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia ka bërë të ditur se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i ka propozuar që të ketë në konsideratë injektimin e dozës së tretë të vaksinës anti-COVID19.
Vitia ka thënë se kanë filluar negocimin me kompanitë prodhuese për sigurimin e 1 milion vaksinave shtesë për vitin e ardhshëm.
“Do të kemi në konsideratë edhe administrimin e dozës së tretë sipas rekomandimeve të fundit që na kanë ardhur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, kurdo që shihet kjo e domosdoshme, sidomos kjo vlen për grupet më të ndjeshme të popullatës. Grupi negociues në Ministrinë e Shëndetësisë ka filluar negocimin me kompanitë prodhuese për sigurimin edhe të 1 milion vaksinave tjera për këtë gjë për vitin tjetër”, ka thënë Vitia.
Vitia ka konfirmuar se gjatë kësaj jave pritet që numri i të vaksinuarve të shkojë në 1 milion, ndërsa ka treguar se rreth rreth 4 mijë vaksina janë administruar te gratë shtatzëna dhe nënat të reja.
“Deri tani janë administruar rreth 4 mijë doza te gratë shtatzëna dhe nënat gjidhënëse. Gjatë kësaj jave pritet të arrijmë numrin prej 1 milion dozave të administruara kundër COVID-19. Në Kosovë, procesi i vaksinimit ka përfshirë personat mbi 16 vjeç tani siç jeni informuar sikurse edhe fëmijët e moshës 12-15 vjeçare me indikacione mjekësore apo imunitet të komprometuar. Në mënyrë të veçantë i bëjmë thirrje të rinjve, sidomos shtatzënave dhe nënave të reja që të vaksinohen sepse tani më ka dëshmi të mjaftueshme shkencore”, përfundoi Vitia.
Vitia është shprehur se aktualisht në stoqe janë edhe 600 mijë vaksina.