Në fillim të vitit 2007 Francesco Flachi ishte në rrugën e tij për t’u shndërruar në një legjendë e Sampdorias, si kapiten dhe shënues i mbi 100 golave, si dhe u thirr për herë të parë në kombëtaren italiane.

Por jeta e tij ndryshoi në orët pas ndeshjes kundër Interit, më 28 janar 2007, kur testoi pozitivisht për kokainë. Ai u pezullua menjëherë nga çdo aktivitet futbolli dhe iu ndalua që të luante për dy vjet.

“I humba të gjitha në atë moment të saktë”, tha Flachi për BBC Sport. “Isha një idhull në Genoa. E kisha filluar vitin me dy gola dhe isha thirrur edhe nga ekipi kombëtar”.

Ky dënim ishte vetëm fillimi. Dy vjet më vonë, e gjithë karriera e tij përfundoi, të paktën kështu dukej deri më tani.

Flachi ishte i njohur për karakterin dhe polemikat që shkaktonte, por edhe për përfshirjen në aktivitete të paligjshme.

Një vit më parë, në 2006, bazuar në përgjimet telefonike të palëve të treta, Flachi u akuzua për tentativë për fiksim ndeshjes dhe u pezullua për dy muaj. Sot mohon sërish. “Nuk kisha gisht në atë punë dhe kurrë nuk e pranove”.

E kapërceu atë njollë mbi reputacionin e tij dhe iu përkushtua ambicies për t’u shndërruar në një nga numrat 10 më të talentuar italianë të brezit të tij. 110 golat e Flachi për Sampdoria e vendosën atë të tretin në listën e golashënuesve të klubit të të gjitha kohërave, pas vetëm Roberto Mancini dhe Gianluca Vialli.

Me siguri do t’i kishte tejkaluar, nëse nuk do të përjashtohej pas testit të drogës. Pas mungesës së detyruar dyvjeçare, Flachi-t iu ofrua një mundësi për t’u rikthyer me skuadrat e Serie B Brescia dhe Empoli. Por ngjarjet e viteve të mëparshme kishin bërë të vetën. “Mendërisht nuk isha më i njëjti person dhe nuk mund të largohesha nga droga”, reflekton ai.

Dhe kështu në dhjetor 2009, Flachi doli përsëri pozitiv për kokainë. Si shkelës i përsëritur iu dha një ndalim 12-vjeçar, duke i dhënë fund karrierës së tij të nivelit të lartë.

Dukej e sigurt që ai nuk do të luante përsëri. Por tani, 12 vjet më vonë, Flachi po përgatitet për një rikthim të pamundur.

Gjatë viteve që nuk mundi të luante, Flachi trajnoi jozyrtarisht ekipin lokal Bagno a Ripoli, duke fituar tituj të ligës dhe kupës. Ai gjithashtu ka stërvitur skuadrat e të rinjve të Signa 1914 dhe që nga shpërthimi i pandemisë, jep mësime individuale mbi teknikën e futbollit për 50 fëmijë.

Signa 1914, luan në seritë amatore italiane dhe këtu ai do të kthehet si lojtar, në moshën 46 -vjeçare, kur ndalimi i tij të përfundojë në janar. Rikthimi është një bast i vënë me mikun e tij dhe presidentin e klubitm Andrea Ballerini.

“Jam shumë i emocionuar sepse data po afron. E gjitha filloi si një shaka, por më pas ne u bëmë më seriozë për të. Unë tashmë po ndihmoja në Signa 1914, duke dhënë një dorë në sektorin e të rinjve. Andrea më provokonte duke më thënë se nuk mudn të luaj, se jam i vjetër”, rrëfen ai.

Ish-kapiteni i Sampdorias tregon se ndjehet i emocionuar si në ditën e parë. “Prej 12 vitesh nuk kam hyrë në një fushë futbolli me 11 lojtarë. Për mua është shumë emocionuese, janë emocione që më mungojnë”, thotë ai.

“Jam duke stërvitur tani dhe ndjesitë janë të ngjashme me ato që ndjeva si një lojtar i vërtetë. Ekspozimi dhe presioni janë të ndryshëm, por disa dinamika të futbollit, si jeta në dhomën e zhveshjes, janë të njëjta në të gjitha nivelet.

“Unë e di që kam bërë një gabim dhe jam ndëshkuar për këtë. Unë gjithashtu e di që nuk jam aq i shpejtë sa dikur, por mund të bëj pjesën time dhe t’i ndihmoj këta djem të besojnë në veten e tyre. Unë gjithashtu dua që ata të kuptojnë sa i bukur është futbolli. Ata nuk duhet të humbasin atë që humba unë”.

Kthimi në stërvitje dhe perspektiva për të luajtur përsëri ka qenë një shans për Flachi për të reflektuar mbi zgjedhjet që ka bërë në jetë.

“Pas një turpi të tillë ju mendoni për gjithçka,” shton ai. “Për një karrierë të hedhur në kosh, imazhin tuaj publik, dhimbjen që i shkaktuat familjes tuaj. Njerëzit nuk reaguan mirë në fillim, por me kalimin e kohës unë vërtetova se i kuptova gabimet e mia dhe mund të rindërtoja shumicën e marrëdhënieve.

“Në fillim, kur shihja futboll më bënte të sëmurë, por pastaj i përvesha mëngët dhe ngadalë vazhdova përsëri. Unë kam hapur dy restorante në Firence dhe kam kaluar kohën time duke shërbyer ushqim. Që kur është përhapur lajmi se do të luaj sërish, kam marrë shumë mesazhe e telefonate”.

“Unë nuk jam viktimë – kam bërë një gabim dhe nuk dua që të tjerët të ecin në të njëjtën rrugë. Është shumë e lehtë të gjykosh nga jashtë. Ata që më njohin gjithashtu e dinë se si jam. Unë jam i njëjti person që isha 20, 30 vjet më parë, me vlerat e mia.

“Unë e di që dikush mund të bëjë gabime dhe të rrëzohet, por gjithashtu mund të ringrihet. Jeta është plot me ngjarje të papritura. Ajo që dua është të bëj pjesën time dhe të tregoj se mund të luaj një rol në futboll.”