Dy të rinj janë konstatuar nga policia duke kryer mashtrim kompjuterik, njëri prej tyre është arrestuar ndërsa tjetri është proceduar penalisht. 19-vjeçari nga Shkodra është ndaluar pasi kishte hapur profile të rreme dhe kërkonte 25 mijë euro për bamirësi për një person të sëmurë duke mashtruar qytetarët. 

Një 19-vjeçar është arrestuar nga policia pasi kishte hapur 10 profile të rreme në rrjetet sociale dhe kërkonte 25 mijë euro bamirësi për një person të sëmurë, duke mashtruar qytetarët.

Njësia C e krimit kibernetik bën me dije se i riu nga Shkodra nuk ka lidhje me personin që pretendohet se është i sëmurë.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se të dhënat e dërguara nga 19-vjeçari i përkisnin një shtetasi tjetër, i cili do të bënte të mundur tërheqjen e ndihmave financiare.

Nga verifikimet u zbulua se i riu kishte hapur 10 profile me të dhëna të rreme, nëpërmjet të cilave janë kryer dhe veprimet kriminale.

Ndërsa kanë proceduar në gjendje të lirë edhe një 22-vjeçar me iniciale i dyshuar për mashtrimin kompjuterik.

Gjatë kontrollit të banesës së të arrestuarit dhe të proceduarit, u sekuestruan 2 telefona celular, karta SIM dhe dokumente të llogarive bankare.

Ata akuzohen për mashtrim kompjuterik. Hetimet për ketë rast nisën pas kallëzimit të drejtuesit të një fondacioni bamirësie dhe zgjatën disa muaj.

Ndërkohë që pranë kësaj njësie vijojnë të mbërrijnë denoncime lidhur me vjedhjet e të dhënave personale nëpërmjet aplikacionit Whatsapp. Burime nga ky sektor bëjnë me dije se çdo ditë denoncohen nga 50 raste për përvetësimin e të dhënave. Dyshimet e këtij sektori janë se personat që kanë krijuar këtë skemë janë shtetas rus dhe amerikanë.

Ata kërkojnë një kod 6 shifror që mbërrin në numrin e telefonit ndërsa më pas hyjnë tek llogaria personale.

Për këtë arsye policia të hënën apeloi qytetarët të kenë kujdes pasi situata është serioze.