Mesditën e sotme është kapur një sasi prej më shumë se 11 kilogramë kokaine në Portin e Durrësit në një nga kontenierët e bananeve të firmës “Alba Exotic Fruit”.
Operacioni policor i koduar “Rada” pas kontrollit të imtësishëm në dy nga kontenierët me banane që kishin ardhur nga Ekuadori gjetën në pjesën fundore të tyre rreth 10 kilogramë e 185 gramë kokainë.
Ndonëse nuk raportohet për persona të shoqëruar, kujtojmë se në nisje të këtij operacioni muaj më parë, nga taskforca permanente që vepron në hyrje dhe në dalje të Portit të Durrësit, më datë 13.07.2021, është arrestuar në flagrancë shtetasi Bajron Gumeni, menaxheri i firmës dhe është shpallur në kërkim administratori i firmës shtetasi Eduart Dauti.
Njoftimi i Policisë:
Port, Durrës/ Vijon operacioni policor i koduar “Rada”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Sekuestrohet një tjetër sasi kokaine në një nga kontenierët e firmës “Alba Exotic Fruit”.
Në kuadër të operacionit “Rada”, të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, ku nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit është gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike kokainë, në një nga kontenierët për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, tjetër sasi kokaine është sekuestruar ditën e sotme.
Në vijim të operacionit “Rada”, mesditën e sotme, nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit, është ushtruar kontroll i imtësishëm në dy nga kontenierët e ngarkuar me banane, që kishin ardhur nga Ekuadori, për llogari të kësaj firme. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në pjesën fundore, te kapakët e motorëve frigoriferikë të dy kontenierëve u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 10 kilogramë e 185 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.
Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit dhe Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit vijojnë veprimet hetimore, nën drejtimin e SPAK-ut.