Social Demokratët, të cilët dolën të parët në zgjedhjet parlamentare gjermane, të Gjelbrit dhe Liberalët njoftuan sot se kanë arritur një marrëveshje paraprake për formimin e qeverisë së re.
Olaf Scholz u shpreh se partitë arritën një marrëveshje, ndërsa detajet do të bëhen zyrtare në vijim.
“Ne jemi të bindur se mund të krijojmë një marrëveshje ambicioze dhe të zbatueshme të koalicionit,” thanë palët në një deklaratë të përbashkët. Në një dokument prej 12 faqesh, ata përshkruan përparësitë kryesore në të cilat do të fokusohej koalicioni i mundshëm, duke thënë se ata synojnë të ecin përpara me bisedimet javën e ardhshme.
Koalicioni konservator CDU/CSU i kancelares Angela Merkel u rendit u dyti në zgjedhjet e 26 shtatorit, por pësoi rezultatin më të keq të zgjedhjeve të përgjithshme që nga viti 1945.