Plot 318 milionë euro (39.1 mld lekë) është humbja në buxhetin e shtetit për vitin 2020, sipas KLSH-së. Këto humbje kanë ardhur kryesisht për shkak të pagesave të të larguarve nga puna apo gjyqet ndërkombëtare.

Kjo shumë është zbuluar nga rreth 103 auditime të kryera në institucione të ndryshme shtetërore. Efektet negative financiare vijnë kryesisht nga tenderat, pagesat për të pushuarit nga puna, nga humbjet e Bashkive dhe pagesa për gjyqe të humbura në arbitrazhet ndërkombëtare. Sipas KLSH, në vitin e pandemisë 119 tendera që përbëjnë 48% të fondeve të audituara janë kapur me shkelje. Drejtoresha e Buxhetit të KLSH, Valbona Gaxha u shpreh se çështjet do të referohen edhe për kallëzime penale:

“Duhet të tregojmë kujdes, sepse bëhet fjalë për nëpunës të lartë dhe njerëz në pozita të larta drejtuese. Ne i dërgojmë dosjet në drejtorinë juridike për tu siguruar që janë në rregull nga ana ligjore dhe i çojmë në prokurori. Jemi shumë të përkushtuar dhe do i zbulojmë rast pas rasti”.

Kryetari i KLSH, Arben Shehu duke dëshmuar në Komisionin e Ekonomisë në lidhje me raportin u shpreh se kërkonte dhe mbështetjen e opozitës për kallëzimet penale që do të bëheshin.

Dëmi Financiar
318 milionë euro
Burimi: KLSH

103 auditime të kryera
143 institucione
Burimi: KLSH