Fax News mëson detaje të reja nga vrasja që ndodhi mëngjesin e sotëm në Laç, ku viktimë mbeti ish-punonjësi i policisë Xhelal Reçi.
Burimet bëjnë me dije se Reçi është qëlluar nga dy persona në hyrje të dyqanit të tij, i cili ndodhet në afërsi të komisariatit të policisë së Kurbinit.
Sipas burimeve personat që kanë qëlluar në drejtim të Reçit kanë qenë 2 dhe të pamaskuar, ndërsa nuk dihet si janë larguar nga vendi i krimit.
Xhelal Reçi është babai i Besnik Reçit, i cili denoncoi kohë më parë se dy persona e kishin ndjekur me motor për ta vrarë, në një kohë që ishte duke udhëtuar me makinë me familjen e tij.
Asokohe (Gushtin e kaluar) familja Reçi akuzoi policinë se ngjarjen e mbajti të fshehtë, dhe video e ndjekjes me motor të Besnikut dhe familjes së tij u bë fillimisht publike nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Autorët e atentatit ndaj Besnik Reçit nuk arritën të identifikoheshin apo arrestoheshin nga ana e policisë.
Vetë Xhelal Reçi, i cili u ekzekutua mëngjesin e kësaj të hëne, bëjnë me dije burimet e Fax News nuk ka precedentë penal, por ngjarja mund të lidhet me aktivitetin e djalit të tij Besnikut, apo vëllait Sami Reçi.
Të dy këta të fundit kanë qenë të përfshirë në disa ngjarje në qytetin e Laçit.