Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u bën thirrje qytetarëve të vaksinohen duke kontaktuar me mjekun e familjes. Ajo ka shpërndarë informacion në lidhje me vaksinimin e fëmijëve, kategoritë dhe vaksinat që duhet të marrin.

“Me këtë informacion të dobishëm për kategoritë e fëmijëve që duhet të vaksinohen ndaj Covid-19, ju ftoj të kontaktoni mjekun tuaj të familjes.  Ekipet tona mjekësore janë në shërbim çdo ditë të javës në qendrat shëndetësore dhe pikat e vaksinimit të përqendruar”, shkruan ministrja.

Rekomandohet vaksinim i fëmijëve 12-15 vjeç me sëmundje kronike dhe të gjithë grupmoshës 16-18-vjeç në çdo qendër shëndetësore apo pikë vaksinimi.

Vaksina merret përkundër një karte identiteti, ndërsa fëmijët duhet të jenë të shoqëruar me prindin apo kujdestarin e tyre. Për kategorinë deri në 18 vjeç aplikohet vaksina Pfizer.

Informacioni i shpërndarë nga ministrja

Kush duhet të vaksinohet?

-Fëmijët 12-15 vjeç me sëmundje kronike të përcaktuara

Të gjithë fëmijët 16-18 vjeç

Kur dhe ku?

Menjëherë në çdo qendër shëndetësore apo pikë vaksinimi

Si?

Me kartë identiteti. Fëmijët nën 18-vjeç paraqiten me prindin apo kujdestarin e tyre, i cili aprovon kryerjen e vaksinës.

Çfarë?

Për fëmijët deri në 18-vjeç, aplikohet vaksina Pfizer, sipas rekomandimeve të organizmave ndërkombëtare FDA dhe EMA.