Fshati turistik i Gjinarit, 22 km larg Elbasanit, prej kohësh është shndërruar në një destinacion për vizitorët vendas, por edhe të huaj.
Kjo zonë shquhet sidomos për masivet pyjore me pisha të larta dhe kurative për personat që vuajnë nga azma, si edhe për pozitën e favorshme gjeografike e resurset e mëdha natyrore që ofron .
Për të mbërritur në këtë pikë turistike malore mundësitë e udhëtimit tashmë mund të thuash se janë komode, për shkak të rikonstruksionit të rrugës nga qendra e qytetit të Elbasanit deri në Gjinar .
Por, tashmë kjo zonë malore, me një ajër të pastër që i ka falur natyra, do të njohë akoma më shumë investime dhe vëmendje të veçantë nga bashkia e Elbasanit.
Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja tha për ATSH-në se “e njohur si pika turistike më e vizitueshme pas viteve ‘90 nga turistët e huaj, me ajrin e pastër, pishat dhe malin e Bukanikut, bashkia e Elbasanit ka në projekt dy investime të mëdha, sheshin kryesor të Gjinarit, me një investim të mirëfilltë, si edhe “ Fusha e Kuqe”, ku investimet do të zbatohen gjatë vitit 2022″.
Edhe pse është investuar shumë gjatë këtij viti në infrastrukturën që të çon tek objektet e Kultit, pasi Gjinari tashmë njihet edhe si zona e shumë Kishave, kreu i bashkisë Llatja premton se edhe me miratimin e Ministrisë së Kulturës do të bëhet e mundur ristrukturimi i strukturave të kishave të Shelcanit dhe Valshit”.
“Këto dy projekte të mëdha do ta kthejnë Gjinarin në identitetin e tij turistik, në xhevahirin malor të Shqipërisë së Mesme”, tha Llatja.
E veçanta e Gjinarit është se kjo pikë turistike malore dallon nga të tjerat për nga klima dhe resurset e veta natyrore, duke të ofruar një turizëm permanent, si gjatë verës, ashtu edhe në dimër. Kjo zonë duhet vizituar nga shumë aspekte, duke filluar nga Kisha Shën e Premte e Valshit me piktura të Onufrit,Kisha e Shën Kollit në Shelcan, Kisha e Shumë Shejtorëve, Dushku i Lleshanit, Varri i Kostandin Shpatarakut piktor ikonograf kishtar, Lisat e Pashtreshit, Dërstilat e Gjinarit, Kanioni i Shpellës së Pëllumbasit etj.
Bukuritë e shumta natyrore dhe gjithçka tjetër që ka trashëguar ndër shekuj kjo zonë e bën atë gjithmonë të lakmueshme nga turistët e të gjitha grup moshave.