Kreu i PD Lulzim Basha ka bërë akuza të forta nga foltorja e Kuvendit. Teksa e cilëson si dritë shpresë arrestimin e Lefter Kokës për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, Basha thotë se persona në drejtësinë e re kanë dhënë garanci që askush nga “Trekëndëshi i Bermudës” me të cilin i referohet Ramës, Berishës dhe Metës, të mos preken. Basha flet dhe për dëshmitarë në arrati ose që sipas tij mund të jenë vrarë nga mafia e inceneratorëve.
“Duke qenë se është seanca e fundit për këtë vit është vendi dhe koha të themi se hapi i parë i marrë për arrestimin e një prej ministrave të këtij që qëndron pas mund të jetë një dritë shprese që një nga kollonat që mbajnë bashkë shoqërinë të fillojë të rindërtohet. Prej më shumë se 5 vitesh ky që është mbrapa dhe trekëndëshi i Bermudës janë përpjekur të ndërtojnë fasadën e reformës në drejtësi, me njerëz që japin garanci se s’do prekin asnjë nga brinjët e trekëndëshit të Bermudës… me gjyqe si Tahirit që s’mbarojnë kurrë, me të pandehur të njoftuar prej vitesh nga media dhe opozita që sot janë në arrati në qofshin gjallë akoma dhe nuk kanë marrë plumbin kokës nga mafia e inceneratorëve. Një kokë turku që e ka emrin Koka por në fakt është bishti se koka është pas meje. Edhe qytetari më i thjeshtë i Afrikës e di se 17 vendime brenda ditës e di që nuk mund të ndodhin nëse koka s’është ai pas meje”, tha Basha.
Duke e cilësuar qeverinë si më të korruptuarën në Ballkan, Basha akuzoi se sipas tij kjo ka ndikuar edhe në keqmenaxhim të situatës së pandemisë.
“Prej vitesh kjo qeveri ky kryeministër nuk i njohin jo me ti qajnë hallet e njerëzve, s’duan t’ia dinë jo më t’i qajnë hallet e tyre. Ka më shumë se 3 vjet, që nga tërmeti e pandemia kjo qeveri është cilësuar si më e korruptuara e Ballkanit. Sa herë ndodhem në këtë foltore sa herë citoj këtë fakt, dua të them se ky nuk është as urimi as konstatimi im por i DASH, indeksit të korrupsionit etj. Shqipëria renditet si vendi më i korruptuar në Ballkan, mbrojtja ndaj fëmijëve u tregua qartë në kohën kur shpërtheu COVID. Po dëshmohet edhe sot kur kudo anembanë vendit varrezat po mbushen me nëna baballarë, me të rinj nën 40 vjeç viktima të COVID, i cili është e keqe globale por çdo qeveri ka marrë minimumin e masave. Vetëm në Shqipëri COVID nuk ekziston sepse të ndalësh COVID do të thotë të ndalësh mbushjen e xhepave të oligarkëve. Këtu nuk ka qeveri por sundim jo të ligjit por të një kaste të përbashkët për të plaçkitur vendin“, shtoi kreu i PD. be.k/abc