Nga Fieri, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se ky është i pari takim që zhvillohet pas një ngjarjeje traumatike për demokratët, shqiptarët, siç ishte ajo e 8 janarit.

Basha tha se me sytë plot shpresë nga e ardhmja, duke lënë pas hijet e të shkuarës, nga Fieri oshtinë sot mesazhi se demokratët zgjedhin të ardhmen për veten dhe partinë.

Basha: Jam thellësisht mirënjohës për praninë në këtë sallë të themeluesve të PD, në të gjitha degët e Fierit, të atyre që në ditët më të vështira, por edhe në ditët më të bukura, të kohërave më të çmendura, por edhe kohërave të mendimit më të pastër, të ndryshimit të madh ‘90-91 janë sot këtu krah për krah bijave, nipërve e mbesave të tyre. Ju them nga zemra faleminderit.Faleminderit për praninë tuaj në këtë takim, që ka një rëndësi të veçantë dhe është domethënës, sepse është i pari që zhvillojmë pas një ngjarjeje traumatike për demokratët, shqiptarët, siç ishte ajo e 8 janarit. Me praninë tuaj, me zërin që ushton, me sytë plot shpresë nga e ardhmja që kemi vendosur të ndjekim, duke lënë pas hijet e të shkuarës, nga Fieri oshtinë sot mesazhi se zgjedhim të ardhmen për veten tonë, për partinë tonë dhe për familjen tonë politike.