Zvicra edhe një herë të premten ishte vend pritës i takimeve ndërkombëtare të nivelit të lartë. Në Gjenevë u takuan sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov.
Edhe pse tema që u diskutua ishte shumë serioze – tensionet në Ukrainë, kryediplomatit rus, si rrallëherë, në një moment i rrëshqiti një zgërdhirje, ndonëse Blinkenit nuk i erdhi aspak për të qeshur, shkruan Gazeta Express.
Ishte çasti kur dy diplomatët e lartë po fotografoheshin pranë njëri-tjetrit e para flamujve të shteteve të tyre dhe sekretari amerikan ia zgjati dorën homologut rus. Sidoqoftë, Lavrovi mendoi se mënyra e duhur e përshëndetjes në pandemi ishte një tjetër dhe për një moment e zgjati bërrylin.