Kushi: Të gjithë nxënësit dhe mësuesit, nesër në shkolla
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi deklaroi sot se, nesër të gjithë nxënësit dhe mësuesit do të rikthehen në shkolla.
E pyetur në lidhje me mbylljen e shkollave, Kushi tha se “lajmi i mirë është që nesër të gjithë nxënësit dhe mësuesit do të rikthehen në shkolla. Sepse sipas parashikimeve të motit do të ketë një përmirësim të temperaturave”.
“Ne të gjithë e pamë që temperaturat ishin jo të zakonshme për një vend si Shqipëria. Në qytete të ndryshme kanë qenë -10. Në veri të vendit apo në juglindje kanë qenë -17 gradë. Dhe kjo nuk është një gjë që ndodh vetëm në Shqipëri. Ju jeni informuar që edhe Greqia, ditën e hënë, i mbylli shkollat për shkak të temperaturave të ulëta. Edhe Turqia ka bërë të njëjtën gjë. Dhe shumë shtete të tjera që madje janë dhe më të zhvilluara dhe i kanë qoftë shkollat, qoftë rrugët në kushte më të mira”, tha Kushi.
Kushi shtoi se, “arsyeja nuk ka qenë vetëm problematika e ngrohjes në shkolla, por ne duhet të kujdesemi dhe kemi përgjegjësi për nxënësit që në momentin që nxënësit që nga momenti kur dalin nga shtëpia. Pra dhe nëse ka rreziqe gjatë rrugës për shkak të ngricave apo për shkak të reshjeve, natyrisht ne duhet të marrim masat”.
E pyetur se pse nuk u mbyllën çerdhet dhe kopshtet, Kushi tha se, “çerdhet dhe kopshtet janë në varësi të bashkive, por natyrisht ju e dini shumë mirë që bashkitë mund të marrin vendime për kopshtet, por nga ana tjetër prindërit nuk janë të detyruar t’i çojnë fëmijët e tyre nëse moti është me temperatura shumë të ulëta. Ndërkohë që shkolla ka një program dhe nxënësit kanë një detyrim që nëse mungojnë pa arsye ka pasoja të tjera. Shpresojmë që kushtet atmosferike të mos na ofrojnë surpriza të tjera të tilla që ne të detyrohemi të mbyllim përsëri shkollat”.
“Por ishte një periudhë 3 ditore që sipas ekspertëve ishte e nevojshme për të parandaluar çdo lloj rreziku për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve tanë”, përfundoi Kushi