Policia e Gjirokastrës ka finalizuar me sukses aksionin të koduar “Ndalesa” në kuadër të trafikut të paligjshëm të narkotikëve.

Uniformat blu kanë arrestuar 2 shtetas të cilët në bashkëpunim me 3 të tjerë të arrestuar 6 muaj më parë kanë tentuar të kultivojnë bimë narkotike në fshatin Këllëz. Gjithashtu u sekuestruan 1700 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.

Policia Gjirokastër:

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “NDALESA”.
Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër.
Vihen në pranga 2 shtetas, të cilët në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë të arrestuar 6 muaj më parë, kanë tentuar të kultivojnë bimë narkotike në një ambient të hapur në fshatin Këllëz.

Në kuadër të punës hetimore për zbardhjen e rasteve të veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të narkotikëve, si rezultat i një pune policore dhe procedurale të pandërprerë disamujore, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, është finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “NDALESA”.

Si rezultat i këtij operacioni është bërë e mundur kapja dhe ekzekutimi i urdhrave të ndalimit të lëshuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për shtetasit H. B., 43 vjeç, banues në Gjirokastër dhe M. B., 66 vjeç, banues në fshatin Qesorat, Gjirokastër, pasi dyshohet se janë bashkautorë të ngjarjes së ndodhur në muajin gusht të vitit 2021, midis fshatit Këllëz dhe Dhoksat, Gjirokastër, në një ambient publik, ku u gjetën 1700 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.

Në muajin gusht të vitit 2021, në kuadër të këtij procesi hetimor, janë vënë në pranga 3 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1 shtetas tjetër. Vijon puna për kapjen e tij.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.