Sekuestrohen 1.4 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, një armë zjarri dhe fishekë në Përmet. Vihen në pranga 2 vëllezërit që i posedonin, procedohet penalisht babai i tyre.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Përmet, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë policore, ka organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “BROTHERS”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit F. Zh., 39 vjeç dhe A. Zh., 36 vjeç (vëllezër) banues në fshatin Bodar, Përmet, si dhe u procedua penalisht shtetasi Ll. Zh., 69 vjeç (babai i tyre).
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në një ambient në përdorim nga këta shtetas, në vendin e quajtur “Vinja”, fshati Bënjë, Përmet, u gjetën 1.4 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sattiva, një armë zjarri dhe një sasi fishekësh.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda e dyshuar narkotike, arma e zjarrit, fishekët dhe 2 aparate celulare.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.