Në promovimin e këtij botimi tek “Reja”, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se ky libër është një testament për kryeqytetin me 1 milionë banorë. Por, duke u ndalur tek zhvillimet e javës, ai foli edhe per protesten e disa banorëve, që preken nga procesi i rindërtimit tek lagja “5 Maji”.
“Ishte shumë e dhimbshme të shikoja në Parlament, se si zhvillohej një debat për zaptimin e pronës dhe Komisionin e drejtonte një gocë tironse si Klotilda Ferhati, te cilës ia kanë zaptuar tokën e babës, por ajo nuk e tha kurrë këtë. I dëgjoi me durim. Keni zaptuar, e kuptojmë, sepse kanë qenë ditë të vështira. Ke marrë 500 metra, sot do marrësh po 500 metra, sepse ky qytet është zemërhapur për të gjithë. Kur ne insistojmë që personat që i bashkohen kësaj zemre të madhe duhet të bëhen tironsa, nuk është puna tek aksenti, se nuk të bën vetëm gjuha, por rregullat e bashkëjetesës, rregullat e komunitetit, rregullat e solidaritet, rregullat e fqinjësisë së mirë”, deklaroi Veliaj.
Në librin me 452 faqe, Delisula përcjell përmes dokumenteve osmane, kontributin e popullsisë vendase në ndërtimin e institucioneve arsimore, si dhe detaje e kuriozitete të panjohura më parë mbi funksionimin e qytetit dhe jetesës së asaj kohe.
“Nëse nëpërmjet këtij libri i kuptojmë kodet e bashkëjetesës së këtij qyteti, se si funksiononte me 10 mijë banorët e parë, e sigurt që do të kthehet në libër të shenjtë, për ta kuptuar edhe 1 milion të tjerët që kanë ardhur më vonë, se vetëm fqinjësia e mirë, bashkëjetesa, zemra e hapur, solidariteti, dëshira për të kontribuar, për të ndihmuar dhe mbajtur njëri-tjetrin lart, është formula e suksesit të kryeqytetit tonë”, theksoi Veliaj.
Ai apeloi për më shumë solidaritet dhe bashkëpunim, ndërsa nënvizoi se beteja për ta bërë Tiranën është një betejë e përditshme. “Ndonjëherë shumë prej këtyre temave urbane që kemi sot, do të duhet t’i vëmë në sytë, në lupën, edhe në mikroskopin e atij që është vendali, i cili thotë: “Ej, prit pak, lashë nga toka ime që të bëhej rruga, dhashë nga prona ime që të bëhej ura, dhashë nga pasuria ime që të bëhej shkolla”. Kjo është fryma që e bëri Tiranën Kryeqytet, dhe është e vetmja frymë që mund t’i mbajë 1 milion vetë bashkë me rregullat e bashkëjetesës, të atyre 10 mijë që ishin të parët në këtë territor. Ndaj, edhe sot, pavarësisht se qyteti ka sfida, unë them, beteja për ta bërë Tiranën është një betejë e përditshme”, tha Veliaj.
Gjatë fjalës së mbajtur në promovimin e librit, kryebashkiaku Veliaj njoftoi emërimin e Delisulës drejtoreshë të Muzeut Etnografik të Tiranës. Rezarta Delisula me një eksperiencë të gjatë në media, publikoi në dhjetor të 2018 librin e saj të parë ”Tirana Mahnia”, një guidë historike, etnografike e zakonore e kryeqytetit, për të cilin u vlerësua me çmimin “Mirënjohja e qytetit” akorduar nga Bashkia e Tiranës