Numri i llogarive bankare u rrit vitin e kaluar për herë të parë pas katër vitesh radhazi në rënie.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri total i llogarive bankare në fund të vitit ishte rreth 3.05 milionë, me një rritje prej 3.1% krahasuar me një vit më parë. Gjatë vitit të kaluar, numri i llogarive aktive në sektorin bankar është zgjeruar me afërsisht 91 mijë të tilla. Numri i llogarive bankare është rritur në të gjitha segmentet kryesore të klientëve, përfshi individët dhe bizneset, qofshin rezidente apo jorezidente.
Llogaritë e individëve rezidentë arritën në afërsisht 2.78 milionë, me një rritje vjetore prej 3.1% e ngjashme kjo me rritjen e numrit total. Ndërkohë, rritja e numrit të llogarive të biznesit ishte në përmasa ndjeshëm më të ulëta, me 1.8% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Numri i llogarive të biznesit është afërsisht 225 mijë dhe është kthyer afërsisht në nivelet e vitit 2019, para pandemisë.
Ndërkohë, numri i llogarive të jorezidentëve u rrit me ritme relativisht të larta edhe vitin e kaluar, me 13.3% më shumë krahasuar me një vit më parë. Numri i përgjithshëm i tyre arriti në afërsisht 45 mijë dhe llogaritë jorezidente përbëjnë rreth 1.5% të numrit të përgjithshëm të llogarive në bankat shqiptare. Edhe llogaritë e jorezidentëve dominohen kryesisht nga individët, me 96% të totalit.
Numri i llogarive bankare në Shqipëri arriti numrin më të lartë në vitin 2016, me pothuajse 3.5 milionë. Në periudhën 2016-2020, numri i tyre pati pësuar rënie të vazhdueshme, i ndikuar ndjeshëm edhe nga konsolidimi i sektorit bankar dhe ulja e numrit të përgjithshëm të bankave.
Gjithashtu, edhe pandemia e Covid-19 besohet se ka ndikuar në uljen e numrit të llogarive për vitin 2020. Mbyllja e bizneseve dhe ulja e punësimit mund të supozohet se kanë sjellë edhe pakësim të llogarive bankare për individët dhe bizneset e mbyllura. Rreth 4 mijë llogari biznesh që u pakësuan gjatë vitit 2020, janë shtuar sërish në vitin 2021.
Megjithëse numri i llogarive bankare në Shqipëri është më i lartë në krahasim me numrin e përgjithshëm të popullsisë, në vetvete kjo nuk ka domethënie shumë të madhe për të kuptuar depërtimin e llogarive bankare në shoqëri. Ndërsa shumë shqiptarë kanë disa llogari bankare, një pjesë e madhe e popullsisë në moshë madhore ende nuk e ka një të tillë.
Banka e Shqipërisë, në mbledhjen e fundit të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, vlerësonte se numri i individëve në moshë madhore që zotërojnë një llogari bankare ka arritur në 66%, nga rreth 40% që vlerësohej pesë vjet më parë. Megjithë rritjen e ndjeshme në vitet e fundit, mund të llogarisim se janë ende afërsisht 750 mijë shqiptare në moshë madhore që nuk zotërojnë një llogari bankare. Për të adresuar këtë problem, Banka e Shqipërisë ka hartuar projektligjin për llogarinë bazike të pagesave, që reflekton direktivën përkatëse të Bashkimit Europian. Projektligji parashikon se llogaria e pagesave me shërbime bazike do t’iu ofrohet konsumatorëve dhe individëve rezidentë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha bankat tregtare pa pagesë ose me tarifa të arsyeshme, me kusht që ata të mos kenë një llogari bankare ekzistuese.
Sipas projektligjit, tarifë e arsyeshme do të konsiderohet tarifa e cila nuk tejkalon 50% të nivelit mesatar të tarifës së aplikuar nga subjekti, për të njëjtat shërbime të ofruara nëpërmjet një llogarie të zakonshme pagesash.
Megjithatë, bankat do të jenë të detyruara t’i ofrojnë shërbimet e pagesave me tarifë zero, për kategoritë që i përkasin grupit të konsumatorëve të cilët përfitojnë nga të drejtat e parashikuara në legjislacionin që rregullon asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë. Këtu përfshihen përfituesit e pagesës së papunësisë, përfituesit e skemës së ndihmës ekonomike, përfituesit e pagesës për paaftësi ose për aftësinë e kufizuar, përfituesit e pensioneve urbane dhe rurale në skemën e sigurimeve shoqërore, përfituesit e ndihmës ekonomike për arsimin e lartë, por edhe për kategori të tjera të përcaktuara me vendime të posaçme nga Banka e Shqipërisë./E.Shehu