Cristiano Ronaldo është 37 vjeç dhe luan për Manchester United në Premier League. Nëna e tij Dolores Aveiro ka deklaruar se djali i saj do të luajë deri në moshën 40-vjeçare, më pas do t’i përkushtohet shijimit të jetës. Ajo përsëriti se ëndërron ta shohë djalin të kthehet në klubin ku nisi karrierën e shkëlqyer, Sporting CP.

Nëna e yllit portugez deklaroi në podcastin “ADN de Leao”: “Ai do të luajë deri në moshën 40 vjeç, pastaj do të shijojë jetën. E kam pyetur nëse dëshiron të bëhet trajner, kur të pushojë së luajturi. Djali më ka siguruar që, pasi të tërhiqet nga fushat e lojës, nuk do të kalojë në stol (si trajner). Dëshira ime është që Cristiano ta mbyllë karrierën te Sporting CP, skuadër ku filloi gjithçka”.

Në lidhje me partneren e djalit të saj, Georgina Rodríguez, ajo deklaroi: “Është një vajzë e mirë. Fëmijët kanë dado dhe staf, që bëjnë shumë gjëra, por katër fëmijë i hapin shumë punë. Georgina është një mbështetje e madhe për Cristianon, s’kam asnjë dyshim për këtë”.

Dolores Aveiro foli edhe për infarktin që pësoi disa vite më parë: “Ende nuk e lëviz dot mirë krahun dhe, kur vjen puna te të folurit, belbëzoj shumë. Më duket si e ngrirë gjuha. Kam humbur shqisën e nuhatjes dhe shijes. Nuk mund të nuhas asgjë, as ta shijoj. Dashtë Zoti do të rikuperohem pak nga pak”.

Pavarësisht gjithçkaje, nëna e Cristianos nuk lë pa parë asnjë ndeshje të djalit të saj: “Unë e dua futbollin. Nëse më fton për darkë dhe ka ndeshje, nuk do të shkoj të ha. Do të rri në shtëpi dhe do të shikoj ndeshjen. Edhe nëse Ronaldo nuk luan, unë jam gjithmonë duke e parë skuadrën e tij”.