Ekspertët dyshojnë se në Shqipëri mund të ketë hyrë një tjetër variant i Covid-19. Saktësisht, dyshimet janë për një nënvariant të Omicron, quajtur BA.2 i cili është duke qarkulluar në vende të ndryshme, kryesisht vendet europiane.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu tha se për shkak të këtij nënvarianti, ka një tendencë sot në rritje të rasteve të infektimeve, sepse ka një transmetueshmëri shumë të lartë. Duke u shprehur se situata po monitorohet në dinamikë, Manastirliu bëri se po vlerësohen mostrat për identifikimin e variantit të ri të Omicron, BA.2.
“Një nënvariant i Omicron BA.2 është duke qarkulluar në vende të ndryshme, kryesisht vendet europiane, ku ka një tendencë sot në rritje të rasteve të infektimeve, sepse ka një transmetueshmëri shumë të lartë. Ajo çfarë po vërehet është që gjithashtu vaksinimi, sidomos doza e tretë, ndihmon në reduktimin e rasteve të rënda dhe uljen e hospitalizimeve dhe tek fatalitetet. Aktualisht në Shqipëri nuk kemi ende raste të konfirmuara. Por sigurisht ne jemi duke vijuar nëpërmjet survejancës tonë aktive dhe duke vlerësuar mostrat të cilat vijnë në ISHP, për t’i çuar në laboratorët e referencës.