Rreth 300 nxënës të shkollës 9-vjeçare ‘Rruhi Allko’ në fshatin Katjel të qytetit të Prrenjasit kanë tashmë mundësinë që të studiojnë në kushte optimale, falë edhe mbështetjes së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, njëherësh dhe drejtues politik i qarkut Elbasan i shoqëruar dhe nga Kryetari i Bashkisë së Prrenjasit Nuri Belba inspektuan rehabilitimin e kësaj shkolle e cila ka edhe sistemin parashkollor.
“Kjo shkollë natyrshëm, meriton më shumë investime. Bashkia ka bërë gjithçka ka pasur mundësi. Ambienti është shumë i mirë. Klasat janë shumë të pastra! Duket që administrata dhe vetë personeli arsimor di ta mbajë siç duhet këtë shkollë dhe këtu meritoni një përgëzim. Nga ana tjetër ka ardhur momenti që të kemi një investim më serioz në këtë shkollë”, tha Gjiknuri.