Një ngjarje e rëndë është shënuar në Francë mëngjesin e së martës ku burrë e grua, shqiptarë, prindër të 7 fëmijëve janë gjendur të masakruar me thika në banesën e tyre.

Prokurori i çështjes dhe skuadra e hetimit ka dhënë pak detaje në lidhje me masakrën në familjen shqiptare duke mos bërë me dije emrat e viktimave, por kanë treguar se po punohet intensivisht për të hedhur dritë mbi atë akt makabër.

Sipas të dhënave mediatike që vijnë nga Franca, bëhet me dije se familja shqiptare prej 9 anëtarëve kishte rreth dy vite që banonte në atë lagje ndërkohë që gruaja, e cila u gjend e vrarë, kishte qenë më herët objekt dhune në familjen e saj. Sipas të njëjtave burime informacioni, të cilat hedhin dritë mbi detajet e ngjarjes, saktësohet se gruaja shqiptare ishte strehuar në qendrat e rehabilitimit.

Referuar të dhënave më të fundit të orëve të vona të së djeshmes, bëhet me dije se Policia dhe grupi i hetimit kanë marrë një mori dëshmish në lidhje me gjendjen dhe përditshmërinë e familjes nga Kosova.

Përveç dyshimit që në banesë të ketë hyrë ndonjë agresor dhe të ketë kryer vrasjen, Policia nuk ka përjashtuar nga autorësia as njërin nga fëmijët e mëdhenj të çiftit. Mediat vendase tregojnë se fëmijët më të vegjël të çiftit janë dërguar në qendër, ndërsa fëmijët e mëdhenj duhet të jenë në dispozicion të hetimit.

Ka dyshime që njëri prej fëmijëve të çiftit, i cili është në moshën e adoleshencës të ketë bërë sherr me prindërit e tij mëngjesin e së martës, pasi Policia pretendon se në momentin që ka shkuar në banesë për t’u dhënë ndihmën e parë nuk ka mundur të hyjë nga dera, ndërsa djali ka qenë në shtëpi. Ata kanë përdorur dritaret e katit të dytë për t’u futur në vendin e krimit. Megjithatë, hetimi ende nuk ka dalë në një konkluzion për autorin dhe shkaqet e masakrës me dy të vrarë në Francë.

MEDIAT VENDASE

“Mes emocioneve dhe pyetjeve u zgjuan banorët e lagjes prioritare të drejtësisë në Épinal (Vosges) në Francë”. Kështu e nis lajmin e përditshmja “Le Parisien”, duke cituar edhe rrëfimin e një fqinji të familjes shqiptare: “Pashë shumë ambulanca dhe polici, por ende nuk e di se për cilën familje bëhet fjalë”, mësohet të ketë thënë pak momente pas ngjarjes fqinji i familjes.

Në mëngjesin e së martës, Policia u tha se kishte zbuluar trupat e pajetë të një çifti në banesën e tyre në “Avenue de President Kennedy”, pasi ka thyer derën.

Ata ishin alarmuar nga fqinjët që dëgjuan klithma, si përleshje, rreth orës 08:30 të mëngjesit, raporton kanali lokal, televizioni “Vosges”. Sipas informacioneve të para, ata kishin shtatë fëmijë nga 5 deri në 21 vjeç.

Kur mbërriti ndihma, trupat e prindërve që iu përkasin vitlindjeve 1977 dhe 1978 ishin të pajetë. Puna e parë e hetimit ka zbuluar se ata janë vrarë me thika, sipas kësaj medie. Katër nga shtatë fëmijët, duke përfshirë dy të rritur, nga kjo familje me origjinë kosovare, janë dërguar në spital, ndërsa tre të tjerë, 5, 9 dhe 14 vjeç, ishin në shkollë në momentin e tragjedisë.

Megjithatë, sipas së përditshmes lokale, e cila citon një burim bëhet me dije se “disa dëshmitarë pohojnë gjithashtu se një nga fëmijët adoleshent të çiftit mbante një thikë në dorë kur ka mbërritur ndihma e parë”.

Nga ana e saj, “France 3” zbulon se goditjet fatale ata i kishin marrë në pjesët e kraharorit.

Sipas të dhënave hetimore, ende mbeten mister shkaqet e vrasjes së çiftit kosovar në apartamentin e tyre në Epinal të Francës. Vrasja ka ndodhur të martën në mëngjes dhe dyshohet se në banesë përpara krimit ka pasur sherr.

HETIMET

Adoleshentët ishin në banesë dhe nuk mundën të hapnin derën shërbimit të urgjencës, të cilët u desh t’i evakuonin përmes dritareve nga kati i dytë, raporton televizioni “Vosges”. Kanali televiziv lokal, i cili tregon se Policia ka sekuestruar një thikë.

Sipas dëshmitarëve, familja ishte shpërngulur në këtë lagje më pak se dy vjet më parë. Nëna, e cila ka qenë shpesh viktimë e dhunës në familje, ishte strehuar në disa raste te një fqinj, thonë mediat vendase.

Prokurori publik i Epinal, Frédéric Nahon, bëri me dije për AFP-në se “zbuluan këtë mëngjes trupat e pajetë të një gruaje dhe një burri në një apartament në Epinal. Hetimi është në vazhdim. Asnjë hipotezë nuk është e qartë për momentin”, shtoi ai pa dhënë detaje të tjera.

“Nuk duhet të fillojmë që në fillim me një vrasje nga fëmijët”, paralajmëroi komisioneri i divizionit Bonillo. “Është sigurisht më komplekse se kaq. Fqinjët përshkruajnë përleshje ku përfshihen prindërit dhe fëmijët. Janë të mundshme disa pista”, përfundoi eksperti, pjesë e ekipi që po merren me hetimin e ngjarjes!

GJENDJA E FAMILJES

Në fillim të pasdites, Policia Teknike dhe Shkencore ndodhej në vendngjarje. Një hetim është hapur dhe duhet të bëjë të mundur përcaktimin e rrethanave të kësaj tragjedie. Fëmijët më të vegjël të vëllezërve dhe motrave u morën në kujdes nga shërbimet e Kkëshillit të Departamentit të Vosges.