Presidenti Ilir Meta u ka përcjellë qytetarëve shqiptarë urimet për Ditën e Verës.
Në një postim në facebook, Kreu i Shtetit shkruan se “pas një Dimri të gjatë e të vështirë, Pranvera po vjen furishëm!”.
“Gëzuar Ditën e Verës”, uron Meta.
Urime ka përcjellë edhe kryeministri Edi Rama me anë të një videoje me kolazh fotosh nga festime të kësaj dite në Elbasan, ndërsa shoqërohet me tingujt e këngës “Elbasan i bukur”.
“Gëzuar Ditën e Verës” shkruan Rama.
Ndërkohë kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, uron që pas kësaj Vere, pandemia të jetë një kujtim.
“Dita e Verës, për herë të dytë, festohet në stinë të vështirësuara nga pandemia. Por kjo e keqe që ka goditur planetin dhe Shqipërinë, gjithashtu, na ka kufizuar fizikisht dhe materialisht, por jo shpirtërisht. Pandemia nuk depërton dot në zonat e jetës shpirtërore, të cilat janë të mbrojtura nga dashuria për jetën, prirjen për lumturi dhe besimi se në të ardhmen me ditë më të mira. Le të gëzojmë bashkarisht këte ditë, të mblidhemi rreth tryezës brenda vatrëva familjare dhe të urojmë e besojmë se pas kësaj Vere, pandemia do të jetë një kujtim”, shkruan Kryetari i Kuvendit.
Më herët urimet për Ditën e Verës i përcolli edhe kreu demokrat, Lulzim Basha.
Edhe pse nën kufizimet e masave anti-Covid, Elbasani do të shndërrohet në kryeqendrën e festimeve të kësaj feste.
Ora news