Email anonimë me kërcënime kanë ngjallur frikë dhe tmerr tek qytetaret e qytetarët në Beograd. Të prekura janë shkollat dhe të tjera institucione. A ka të bëjë kjo me kontekstin e luftës në Ukrainë?

Gjimnazisti beogradas Aleksa Plemic donte të nisej për në shkollë kur përmes shërbimit messenger në viber erdhi lajmi i tmerrshëm, se në godinën e shkollës ka një bombë. “Ky ishte natyrisht një shok i madh”, thotë Gordana, nëna e nxënësit, “ne nuk e kishim idenë, se si duhet reaguar në një situatë të tillë”.

Në mënyrë të ngjashme të hënën në mëngjes (16.5.2022) ishin shpërndarë kërcënime të tilla për disa milionë familje të tjera në Serbi – sepse kërcënime të tilla për bombë, sipas të dhënave të policisë serbe ishin shpërndarë në të paktën 200 shkolla fillore dhe të mesme në mbarë vendin, kryesisht në kryeqyetin Beograd.

Nxënëset dhe nxënësit më të rritur, që ndërkohë ndodheshin në shkollë u dërguan menjëherë në shtëpi; ata më të vegjëlit u strehuan nga mësuesit në vende të sigurta dhe prisnin që të vinin prindërit për t’i marrë.

“Kjo na shokoi ne prindërve shumë më tepër se sa fëmijët”, thotë Gordana Plemic në bisedë për DW. Ajo është kryetare e shoqatës së “Prindërve”, që kujdeset për problemet e nxënësve.

“Prindërit njoftojnë, se shkollat kanë reaguar shpejt”, thotë ajo me mirënjohje. “Megjithatë në ditët në vazhdim ata nuk do ta kenë aspak të lehtë që t’i nisin fëmiëjt për në shkollë, sepse ata nuk e dinë as se si mund të zhvillohet më tej dhe as se ç’kuptim kanë këto kërcënime. Ne nuk e dimë, se sa të sigurtë janë fëmijët tanë, nëse një ditë vjen një alarm i vërtetë apo se ç’mund të ndodhë pa qenë më parë i informuar.”

Valë kërcënimesh me e-mail

Që nga marsi 2022 Serbia është në shënjestër të kërcënimeve të vazhdueshme anonime me bombë. Në fillim kërcënimet drejtoheshin kundër fluturimeve nga Beogradi në Rusi.

Ndërkohë numri i tyre është rritur aq shumë, sa edhe vet policia nuk di më, se sa kërcënime janë dërguar dhe ku.

Në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme thuhet, se në 48 zona dhe institucione janë dërguar qindra mesazhe kërcënuese.

Krahas shkollave janë të prekura edhe ura, qendrat tregtare, restorantet, stacionet e trenave, centralet energjetike, linjat e ujësjellësit dhe spitalet, po ashtu edhe shtëpia private e presidentit  Aleksandar Vuçiq dhe ambasada ruse kanë marrë të tilla mesazhe.

“Mesazhet kërcënuese janë dërguar nga adresa e-maili në google, Proton, Eunet, Yandex si dhe telefonata anonime”, sipas Ministrisë së Brendshme serbe. Deri tani prejardhja rajonale e 19 adresave të tilla janë identifikuar në Serbi dhe jashtë saj. Tetë e-maila kërcënues kanë ardhur nga Polonia, katër nga Gambia, dhe përkatësisht dy nga Nigeria dhe Ukraina, Sllovenia dhe Rusia.

Hetime të vështira

“Tek E-mailat e dërguar nga servera, menaxhuesit e të cilëve kanë mbrojtjen e të dhënave sipas modelit të biznesit, është shumë e vështirë të marrësh informacion mbi dërguesin”, shpjegon eksperti i sigurisë kibernetike nga Beogradi Adel Abusara për DW. “Tek ofruesi zviceran Proton-Mail duhet që Ministria e Brendshme e vendit të prekur të veprojë përmes Europolit, që i drejtohet pastaj policisë zvicerane dhe kjo e fundit kontakton organet vendase të drejtësisë”, thotë Abusara.

Nëse gjykata përkatëse e miraton, atëherë  firmës i kërkohet të gjejë poseduesin e e-mailit  – gjë që p.sh. tek ofruesi Proton në rastet më të shumta një gjë e tillë refuzohet.  “Pothuajse gjithmonë çështja kalon në proces gjyqësor”, thotë Adel Abusara, “e kjo mund të zgjasë, sepse Provider-i i e-mailit vlerëson mbojtjen e të dhënave të përdoruesve të vet dhe kanë ekipe avokatësh. Ata mbrohen kundrejt çdo kërkese, për zbulimin e të dhënave të përdoruesve.”

Qëllimi për të ushtruar presion ndaj Serbisë?

Për arsyet për një valë kaq masive kërcënimesh anonime me bombë në Serbi publikisht deri tani spekulojnë vetëm përfaqësuesit e qeverisë serbe. “Ne jemi i vetmi vend në Europë, që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë dhe presioni ndaj nesh është i jashtëzakonshëm”, tha kryeministrja Brnabiç.

Ministri i Brendshëm, Aleksandar Vulin deklaroi, se me kërcënimet me bombë tentohet të detyrohet Serbia për “të hequr dorë nga politika e saj e jashtme e pavarur”. “Këto sulme nuk kryhen apo iniciohen nga persona të veçantë. Kemi të bëjmë me sulme masive hacker të organizuara mirë dhe shumë të kushtueshme, që drejtohen prej qendrave të ndryshme për një luftë hibride”, thotë ministri serb.

S’kemi të bëjmë me terrorizëm kibernetik

Ekspertët e kibernetikës mendojnë, se ndërkohë është e vështirë të interpretosh motivet për kërcënimet me bombë, por kurrësesi nuk mund të bëhet fjalë për sulme terroriste e as për terrorizëm kibernetik. “Që një e-mail kërcënues vjen nga një server rus apo zviceran kjo nuk do të thotë absolotuisht, që po sulmohesh prej Zvicrës apo prej Rusisë, por nga dikush që ka përdorur serverat në këto vende”, shpjegon eksperti i sigurisë Adel Abusara.

Gjithashtu jo vetëm në Serbi ka herë pas here kërcënime me bombë, por edhe në vendet fqinjë si në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi e në Rumani. “Përpara tre vjetësh një adoleshent kërcënoi përmes e-mailit duke iu drejtuar mijëra shkollave dhe kopshteve, gjë që shkaktoi një evakuim masiv të këtyre institucioneve: “Të tilla gjëra ndodhin. Problemi që shtrohet është, se sa shpejt mund të reagohet përmes rrugëve ligjore ndaj kësaj.”