Një 30-vjeçar është vrarë më armë zjarri në Ferizaj. Mësohet se i riu me iniciale G.H. është qëlluar nga 30-vjeçari me inicialet Q. J., për arsye ende të paqarta.

Krimi i rëndë ndodhi pak pas mesnatës së të premtes, rreth orës 00:53, në rrugën “Rexhep Bislimi” tek një market në Ferizaj.

Pasi ekzekutoi 30-vjeçarin, autori i dyshuar ka tentuar të largohet nga vendngjarja por është përballur me disa efektivë civilë që u ndodhën rastësisht aty.

Pasi policët kanë vënë re të riun me armën e zjarrit në dorë i kanë bërë thirrje të ndalojë, por 30-vjeçari nuk iu është bindur urdhrit.

Madje, ai në një moment i ka drejtuar armën efektivëve dhe një prej policëve për tu vetëmbrojtur ka qëlluar drejt tij.

I dyshuari është dërguar në Qendrën Emegjente në Ferizaj dhe më pas në QKUK ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarja policia e Ferizaj ka sekuestruar dy pistoleta dhe shtatë gëzhoja.

Ndërsa trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Njoftimi i policise:

Më datën 28.05.2022 rreth orës 00:53 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se, në rrugën ‘Rexhep Bislimi’  tek ‘Euro Market’ në Ferizaj kishte të shtëna me armë zjarri…

Nga hetimet e para, dyshohet se personi me inicialet Q.J ( M/K) i moshës 30 vjeçar, ka shtënë me armë zjarri në personin tjetër me inicialet G.H (M/K) i moshës 30 vjeçar, i cili si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo e konfirmuar nga mjekët e spitalit të Ferizajt.

Afër vendit të ngjarjes, një njësi e Policisë me automjet zyrtar civil dhe pjesëtarë të policisë me rroba civile, në detyrë zyrtare kanë vërejtur të dyshuarin me armë zjarri në dorë dhe kanë filluar fillimisht me urdhra verbal ‘ndal policia’ që të ndalet, por i dyshuari nuk ka përfillur urdhrat e policisë.

I dyshuari me pistoletë në dorë, dyshohet që në një moment i kthehet zyrtarëve policor dhe njëri zyrtar policor, për ta shmangur rrezikun e drejtpërdrejt ndaj tij, kolegut të tij dhe të tjerëve përreth, e përdor armën e zjarrit zyrtare, me një shkrepje në drejtim të të dyshuarit. I dyshuari, menjëherë dërgohet për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor dërgohet në QKUK – Prishtinë dhe sipas mjekëve,  gjendja shëndetësore e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia i ka marrë masat për sigurinë e tij.