Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma, gjatë fjalës së saj në Konferencën e Kryetarëve ka thënë se procesi për zgjedhjen e Presidentit është kthyer në një teatër.
Ajo u shpreh se që prej filimit të procesit për zgjedhjen e presidentit mazhoranca është tallur me opozitën dhe se presidenti do të zgjidhet me 71 vota nga Partia Socialiste.
Duma theksoi se njëjtë si mazhoranca të cilët për qëllim kanë shpërbërjen e opozitës, edhe opozita ka qëllim për t’i shkurtuar atyre mandatin politik në qeveri.
“Juve e mbaruat fjalën tuaj zoti Balla se ju si ‘opozitë mund të keni qasjen që përmes Presidentit mund të krijoni zgjedhje të parakohshme’ edhe kjo është një rrugë me shumë kthesa. Qëllim e kemi që në çdo sekond t’ja u shkurtojmë jetën dhe mirë do bëjmë. Politik, për politikë jemi mbledhur këtu.
Nuk është mungesë etike që opozita e ka këtë qëllim, që nuk ka asnjë dyshim që qëllimi juaj si mazhorancë është të vendosni shkopinj dhe të përçani opozitën. E keni arritur apo jo unë nuk mund ta them këtë pasi rruga është e gjatë.
Kjo që po bëni ju është një tallje, ajo që bëtë me ne është një tallje që thatë sillni një emër dhe më pas të vendosim. Procesi për Presidentin është kthyer në një teatër të madh. Ka shumë gjasa që ju ta zgjidhni Presidentin me 71 vota”, tha Duma.