Ish-deputeti Halit Valteri ka depozituar në SPAK një kallëzim penal për presidentin Ilir Meta, kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhin dhe Vangjel Tavon. Ai i akuzon ata për korrupsion aktiv dhe pasiv në sektorin privat, për fshehje të pasurisë, mospagim të taksave dhe tatimeve dhe shpërdorim detyre. Në arsyetimin e tij, Valteri thekson se disponon të dhëna që ngrenë dyshime për konsumimin e këtyre veprave penale.
“Fshehja e të ardhurave
Fshehja apo shmangia nga pagimi e detyrimeve tatimore, nëpërmjet mosdorëzimit të dokumenteve ose mosdeklarimit të të dhënave të nevojshme, sipas legjislacionit në fuqi, dorëzimi i dokumenteve të falsifikuara, apo deklaratave ose informacioneve të rreme, me qëllim fitimin material, për vete apo për të tjerët, përmes përllogaritjes së pasaktë të shumës së tatimit, taksës, apo kontributit, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në tre vjet. Kur kjo vepër kryhet me qëllim fshehjen apo shmangien nga pagimi të një detyrimi tatimor me vlerë më të lartë se pesë milionë lekë, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet. Kur kjo vepër kryhet me qëllim fshehjen apo shmangien nga pagimi të një detyrimi tatimor me vlerë më të lartë se tetë milionë lekë, dënohet me burgim nga katër deri në tetë vjet”.
Mospagimi i taksave dhe tatimeve
Mospagimi i taksave dhe tatimeve brenda afatit të caktuar, me gjithë mundësinë e pagimit të tyre, nga personi ndaj të cilit janë marrë më parë masa administrative për këtë qëllim, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.”
Korrupsioni aktiv në sektorin privat
Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, personit që ushtron funksion drejtues në shoqëri tregtare ose punon në çdo pozicion në sektorin privat, për të kryer ose moskryer një veprim në kundërshtim me detyrën ose funksionin e tij, dënohet me burgim nga tre muaj deri në tre vjet.”
Korrupsioni pasiv në sektorin privat
Kërkimi a marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt a i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi, që vjen nga përfitimi i parregullt, nga personi që ushtron funksion drejtues ose punon në çdo pozicion në sektorin privat, për të kryer ose mos kryer një veprim në kundërshtim me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet”.
Shpërdorimi i detyrës
“Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin,që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës,nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime material ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet”, thuhet në kallëzimin e tij.
“Në bazë të fakteve të konstatuara, dokumente, sjellje, akte të cilat do t‘i përmend në vijim, ju paraqes këtë kallëzim penal, duke ju bërë prezent të gjitha shkeljet me natyrë penale, të cilat pretendoj se duhet të hetohen në mënyrë të thellë e të gjithanshme, pasi ngarkojnë me përgjegjësi të rëndë ligjore të natyrës penale personat që i kanë kryer dhe që unë i kallëzoj, të përfshirë në veprime të paligjshme, në kushtet kur kanë sjellë pasoja shumë rënda interesit publik”, thuhet më tej.