Është zbardhur autopsia për vrasjen e shqiptares Nevila Pjetri tre ditë më parë në Itali, nga autori i dyshuar Daniele Bedini me precedentë penalë për grabitje dhe i akuzuar për dy vrasje të zbuluara në zonën e Sarzana, në një hark kohor prej 24 orësh.
35 vjeçarja shqiptare u vra me dy të shtëna me pistoletë të kalibrit 22 në kokë. Mjekja ligjore Susanna Gamba konstatoi rezultatin e autopsisë. Gjuajtja e parë është qëlluar në ballë, tjetra pas veshit të majtë. Ende mbetet për t’u sqaruar nëse vrasja ka ndodhur në vendin ku është gjetur kufoma apo diku tjetër.
32-vjeçari Daniele Bedini i arrestuar si autor prej mëngjesit të kësaj të marte po hetohet për vdekjen e Nevila Pjetrit, e cila u gjet e vrarë orët e para të së dielës në shtratin e lumit Parmignola në Marinella di Sarzana.
Hetuesit ranë në gjurmët e tij nëpërmjet pamjeve të kapura nga kamerat e sigurisë dhe falë hetimeve të kryera të dielën dhe ditën e djeshme. Për momentin, shkruan La Repubblica, i riu është i dyshuar vetëm për vrasjen e parë, atë të Nevilës. Bedini mësohet është marrë në pyetje prej mesditës së sotme.
Për mediat italiane avokati i 32-vjeçarit tha se klienti i tij nuk ka asnjë lidhje me ngjarjet.
“I vetmi element që i çoi hetuesit që të ndalonin klientin tim është denoncimi i vjedhjes së pistoletës në pronësi të babait të Daniele Bedinit, e formalizuar disa ditë përpara vrasjeve.”.
“Babai i klientit tim kishte denoncuar vjedhjen e armës të cilën e kishte me leje, që nuk është gjetur ende dhe që për momentin ka përputhje vetëm me gëzhojat e gjetura pranë kufomave. Fakti që se klienti im është edhe me precedentë penalë ka bërë që hetimet të kufizohen vetëm rreth tij”, shtoi avokati.
Hetuesit dyshojnë se 32-vjeçari mund të ketë kryer vrasje për herë të dytë, për të eliminuar personin që e kishte parë 2 ditë më parë teksa shqiptarja futej në makinën e tij. Teksa trupi i pajetë i Nevilës u gjet rreth orës 02:00 të së dielës, mbrëmjen e së martës u gjet trupi i një transeksuali.
Ai quhej Carlo Bertolotti, 43-vjeç dhe me profesion parukier. Sipas hetuesve, ai u vra në mënyrë të ngjashme me Nevilën. Transeksuali u gjet rreth 3 kilometra larg vendit ku u gjet shqiptarja.
Bertolotti ushtronte prostitucion në periferi të Sarzana. Trupi i tij u gjet në afërsi të një automjeti të braktisur, që rezultoi se i përkiste viktimës. Në trupin e tij kishte shenja të dukshme dhune. Kishin qenë miqtë e tij që kishin denoncuar zhdukjen e 43-vjeçarit dhe momentalisht nuk përjashtohet mundësia që mund të jetë vrarë të njëjtën natë me Nevilën ose të hënën. Fillimisht policia mësohet se gjeti makinën e viktimës, brenda së cilës u zbuluan shenja gjaku. Vetëm disa orë më pas policia zbuloi trupin e tij të pajetë.