Me dhjetëra media kryesore në Bullgari raportojnë sot se Ministria e Jashtme bëri një reagim të ashpër ndaj gjuhës fyese të Edi Ramës ndaj këtij vendi.

Mediat shkruajnë se Edi Rama sërish nuk u ndal, duke deklaruar se do të vazhdojë me gjuhën e tij. Madje një portal shkruan se Rama ishte kërcënues me qëndrimet e tij.

Por janë të shumta mediat bullgare që shkruajnë se kreu i opozitës shqiptare, Sali Berisha, u kërkoi falje bullgarëve.

Kryetari i Partisë Demokratike të opozitës dhe ish-kryeministri Sali Berisha i kërkoi falje popullit bullgar për fjalimet e Edi Ramës,” shkruan portali News.bg.

Kurse TrafficNews thekson: “Sali Berisha, njeriu që udhëhoqi ndryshimet demokratike dhe e nxori Shqipërinë nga errësira e të kaluarës komuniste, ka treguar dinjitet. Demokrati i vjetër i kërkoi falje Bullgarisë në emër të partisë së tij”.

Portali OffNews shkruan: “Kryetari i PD dhe ish-kryeministri Sali Berisha dënoi sot gjuhën e përdorur nga kryeministri Edi Rama kundër Bullgarisë. Sipas Berishës, Rama ka fyer edhe vendet e BE-së, duke i quajtur ato pengje të Bullgarisë”.

Agjencia e madhe bullgare 24Chasa shkruan se Berisha deklaroi se “komentet e Edi Ramës tregojnë se axhenda e tij nuk është BE dhe integrimi dhe se Edi Rama nuk do Ballkanin e Berlinit, por Ballkanin e Putinit”.