Një shetas nga Izraeli ka denoncuar kushtet çnjerëzore të qelisë së burgut në Greqi, ku qëndroi për 14 ditë.
Dudi Ashkenazi thotë se u arrestua pas një urdhër-arresti nga Interpoli si i dyshuar për trafik droge nga Peruja në Rusi në vitin 2012. Megjithatë ai u lirua pasi nuk u provua si i përfshirë në ngjarje. Ashkenazi pranoi se kishte qenë në Peru, por tha se aty kishte humbur pasaportën, e cila mund të ishte përdorur nga kriminelët.
52-vjeçari izraelit, pasi doli nga qelia në ishullin Kos denoncoi kushtet skandaloze dhe çnjerëzore.
Ai tha për mediat hebreje se qelitë ku u mbajt deri në ditën e gjykimit ishin të vogla, të mbipopulluara dhe jashtë çdo kushti higjeno sanitar.
“Në qeli isha me persona të tjerë nga Gaza, Libia, Libani, Turqia, Armenia, Afganistani dhe Shqipëria. Aty ishte një dhomë shumë e vogël, nuk kishte as aspirim ndërsa në dysheme lëviznin buburrecat. Mushkonjat nuk largoheshin kurrë. Në dysheme kishte jashtëqitje dhe urinë, ishte vërtet skandaloze, çnjerëzore mund të them”, u shpreh ai, transmeton Times of Israel.