Liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, më 8 korrik, kanë mbajtur një takim online për intensifikimin e bashkëpunimit në kuadër të iniciativës “Ballkani i Hapur”, si dhe janë pajtuar për një takim të Grupit punues për çështjet e energjisë.
Siç ka deklaruar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç në llogarinë e tij në Instagram, ai dhe kryeministrat e Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski, u pajtuan për një takim të Grupit punues për bashkëpunim në fushat e energjisë dhe sigurisë ushqimore dhe financave, që do të mbahet në Tiranë në mes të korrikut.
Takimi i sotëm, siç u tha, i është kushtuar intensifikimit të bashkëpunimit me qëllim të tejkalimit të përbashkët të vështirësive për furnizimin me ushqime dhe energji.
Gjithashtu, liderët e “Ballkanit të Hapur” diskutuan për takimin e ardhshëm dhe panairin e verës dhe ushqimit që do të mbahet në Beograd, në shtator, organizuar nga nisma “Ballkani i Hapur”, shkruan REL.
“U pajtuam që ky manifestim i madh dhe unik, i cili besojmë se do të kthehet në një traditë të mirë miqësore, është gjithashtu një promovim i jashtëzakonshëm i tri vendeve tona, por edhe një mundësi për prodhuesit nga rajoni që të bashkohen dhe të prezantojnë produktet e tyre më të mira dhe ekskluzive”, ka shkruar Vuçiç në Instagram.
Liderët u pajtuan për krijimin e grupeve punuese të përziera të dikastereve për temat e krizave dhe për formimin e një agjencie të përbashkët për tërheqjen e investimeve të huaja, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Gjithashtu është shtuar se të tre liderët kanë theksuar rëndësinë e aktiviteteve të ndërmarra për të forcuar lidhjen rajonale dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve.