Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e dënimit për ish-efektivin e policisë Nevaldo Hajdaraj, i cili qëlloi për vdekje me armën e shërbimit të riun Klodian Rasha, gjatë periudhës së karantinës nga pandemia.
Hajdaraj është dënuar nga Apeli i Tiranës me 18 vite burg, por do të kryejë 12 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Prokuroria kërkoi 20 vite heqje lirie për Hajdarajn, por Gjykata e dënoi atë fillimisht me 10 vite burg, vendim që u apelua.
25-vjeçari Klodian Rasha u qëllua për vdekje nga Hajdaraj në mesnatën e 8 dhjetorit 2020. Polici e ndaloi fillimisht Rashën për shkak të thyerjes së orarit të karantinës, e më pas u vu në ndjekie të tij.
Hajdaraj pretendoi se kishte qëlluar mbi Klodian Rashën pasi i ishte dukur se mbante pistoletë në dorë, megjithatë provat në vendngjarje dhe pamjet nga kamerat e sigurisë rrëzuan pretendimet e tij.