Kryeministri Edi Rama ka ngritur akuza të forta ndaj opozitës në seancën ku po diskutohet mes debateve, projektrezoluta e sjellë nga Partia Socialiste për zhbërjen e raportit të Dick Martit. Nga foltorja e Kuvendit, Rama i quajti demokratët serbë, që e kanë thikën gati në dorë për t’ia ngulur Kosovës, duke përmenduar votimin e raportit të Dick Martit në Asamblenë e Këshillit të Europës nga të dërguarit e kësaj force politike.

“Këta e duan Thaçin të varur për këmbësh për arsye të poltikës së tyre dhe perversitetit patriotik që nuk e bën asnjë komb e popull që për hir të hesapeve të brendshme të kërkojnë të therren vëllezërit në rrugët e botës, por e bën një gogol. Nëse raporti do të mbetej personal do të ishte roman horror për një luftë. Është raport i miratuar nga Këshilli i Europës ku jemi anëtarë. Jam krenar që mund të bëjmë kaq në krahasim me pafundësinë e asaj që ka bërë Thaçi. Që Shqipëria të flasë në emër të Adem Jasharit. Ju jeni serbë. Adem Jashari nuk ka nevojë për lëvdatat tuaja e tonat, por të mbrohet nga ky raport se është bërë pis gjaku i Adem Jasharit dhe familjes së tij dhe deri te dëshmori i fundit i UÇK-së. Që ju do ta votoni nuk diskutohet, s’keni asnjë rrugë tjetër që ju nuk keni kuptuar asgjë sa keni qenë në pushtet kjo nuk diskutohet, por një gjë është e sigurt që historia del përpara pikërisht kur mendon që e ke lënë pas. Siç PD-ja vajti në Asamblenë dhe me urdhër nga baca i madh hapi rrugë në gjithë këtë poshtërim, jo se do ta ndalonte, por nuk duhej të përfshihej. E keni thikën në dorë sa herë duhet t’ia ngulni Kosovës dhe me thikën tuaj e keni përcjellë presidentin në detyrë të Kosovës për në Hagë”.