I etur për të fituar gjithçka me Juventusin. Pas zyrtarizimit tek bardhezinjtë, Filip Kostic foli për herë të parë si një futbollist i ekipit italian.

Ai theksoi se nuk ka menduar gjatë për të firmosur me “Zonjën e vjetër” dhe, sipas tij, Juventus ka cilësi për të fituar çdo trofe: “Nuk është shumë e vështirë t’i thuash po Juventusit. Unë kam folur tashmë me Vlahovic, jam i lumtur që ai është pjesë e ekipit. Ai është një nga sulmuesit më të mirë, është mirë të luash me të. Kam dhënë gjithçka dhe kam punuar shumë për ta merituar këtë mundësi. Mendoj se e meritoj Juventusin. Kur një klub si ky vjen, është gjithmonë koha e duhur. Unë mund ta ndihmmoj shumë ekipin. Do të jap gjithçka për të fituar gjithçka”.

29-vjeçari ka nënshkruar kontratë 4-vjeçare me italianët, që e mban të lidhur me Juventusin deri në vitin 2026. Në sezonin e kaluar ai fitoi Ligën e Europës me Frankfurtin, duke u shpallur lojtari më i mirë i këtij kompeticioni