Kompanitë ajrore dhe kompanitë e tjera në industrinë e udhëtimit po mbështesin idenë e të ashtuquajturave “pasaporta të vaksinës”, me qëllim që të rrisin numrin e udhëtimeve në pandemi dhe autoritetet në Evropë mund ta mbështesin idenë e këtyre pasaportave, para sezonit të ri të verës.
Kompanitë e teknologjisë dhe grupet e tregtisë, që lidhen me udhëtimet, po zhvillojnë dhe testojnë disa versione të pasaportave të vaksinave, që po quhen edhe certifikata shëndetësore ose leje udhëtimi.
Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse ndonjëra prej këtyre pasaportave që po zhvillohet, do të jetë e pranueshme gjerësisht në botë dhe rezultati i gjithë kësaj mund të jetë më shumë konfuzion në mesin e udhëtarëve dhe zhgënjim për industrinë e udhëtimeve.
Më poshtë mund të lexoni përgjigjet në pyetjet kyçe rreth pasaportave të vaksinës.
Çka është pasaporta e vaksinës?
Pasaporta e vaksinës është një dokument që dëshmon se udhëtari që e posedon atë është vaksinuar kundër sëmundjes COVID-19 apo së fundmi ka dalë negativ në testin për koronavirus.
Ky informacion mund të ruhet në telefon apo në pajisje të tjera mobile, të cilat më pas udhëtari ua tregon punëtorëve të linjave ajrore apo zyrtarëve kufitarë. Administrata amerikane e presidentit, Joe Biden dhe të tjerët duan që të kenë edhe version në letër të kësaj pasaporte.
Kush po i dizajnon këto pasaporta?
Grupi tregtar për linjat botërore, Asociacioni Ndërkombëtar për Transport Ajror, po teston një version, që quhet “leje udhëtimi”. Kompania e teknologjisë IBM po zhvillon një version tjetër të pasaportës që po quhet “Leja digjitale shëndetësore”. Po ashtu, ka disa iniciativa të sektorit privat.
Disa shtete janë duke u përfshirë dhe po përdorin pasaportat jo vetëm për udhëtimet me avion. Izraeli po përdor të ashtuquajturat “pasaporta të gjelbra” për t’u siguruar që vetëm njerëzit që janë vaksinuar ose janë shëruar nga COVID-19 mund të marrin pjesë në ngjarje publike, të tilla si koncertet. Danimarka, ndërkaq pret që të lansojë një leje që do të lejojë njerëzit e vaksinuar që të udhëtojnë, por me disa kufizime.
Pse kompanitë e udhëtimeve po kërkojnë “pasaportat e vaksinës”?
Udhëtimet ndërkombëtare ajrore kolapsuan gjatë pandemisë, teksa shtetet kanë vendosur kufizime të tilla si karantina apo ndalime të tjera me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejme të virusit. Kompanitë ajrore po shpresojnë në përdorimin e “pasaportave të vaksinës” me qëllim që të bindin qeveritë që të lehtësojnë disa nga kufizimet që po dekurajojnë vizitorët.
“Rëndësia e kësaj në rinisjen e aviacionit ndërkombëtar nuk mund të mbivlerësohet”, thotë Alexandre de Junica, kryetari i Asociacionit Ndërkombëtar për Transport Ajror.
Operatorët e hoteleve, që varen nga vizitorët ndërkombëtarë, po ashtu mezi po presin që këto leje për udhëtime të miratohen.
Asociacioni Ndërkombëtar për Transport Ajror ka testuar më herët gjatë javës një aplikacion për vaksinat, në një fluturim nga Singapori për në Londrën. Një pasagjer futi të dhënat e tij në këtë version digjital të pasaportës, testin për koronavirus dhe kufizimet e udhëtimit në destiacionin e tij. Dhe të gjitha këto të dhëna i futi në këtë aplikacion përmes telefonit të tij.
Ku do të kërkohen këtë pasaporta?
“Pasaportat e vaksinës” me gjasë do të bëhen të rëndomta në fluturimet ndërkombëtare. Disa shtete tashmë po kërkojnë dëshmi të vaksinimit për sëmundje, të tilla si “Ethet e verdha” dhe Shtetet e Bashkuara tashmë po kërkojnë dëshmi përmes testit negativ për koronavirus, për qytetarët e çdo shteti tjetër që futen në SHBA. Prandaj, një pasaportë digjitale për shëndetin, nuk pritet të jetë diçka e re.
Cilat janë rreziqet?
Vaksinat që tashmë po përdoren kundër COVID-19 janë treguar efikase në parandalimin e sëmundjes, por ato nuk mund të shmangin mundësinë që një udhëtar i vaksinuar të mund të përhapë virusin.
“Mendoj se tani kemi dëshmi të mjaftueshme që thonë se vaksinat e ndërprerjen përhapjen (e COVID-19), se njerëzit e vaksinuar kanë më pak gjasa që ta përhapin sëmundjen”, thotë Ashish Jha, rektor në shkollën e shëndetit publik në Universitetin Brown.
“Sa janë gjasat (e mospërhapjes së virusit nga personat e vaksinuar). Këtë nuk e dimë”, tha ai, duke thënë se kjo mund të sillet diku rreth 80 për qind.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve – institucioni kryesor shëndetësor në SHBA – ende rekomandon kundër çdo udhëtimi edhe pasi ky institucion ka lehtësuar disa prej masave për personat që tashmë janë vaksinuar.
Po drejtësia?
Kritikët thonë se nga këto certifikata do të përfitojnë para së gjithash njerëzit e shteteve të pasura dhe njerëzit me ndikim në çdo shtet tjerë – ata që kanë më së shumti gjasa që të vaksinohen më së shpejti dhe që kanë telefona të mençur.
“Do të jenë të pasurit, të privilegjuarit ata që do të mund të udhëtojnë dhe njerëzit e tjerë nuk do të kenë qasje në udhëtime me avionë”, thotë Lisa Eckenwiler, e cila ligjëron etikën shëndetësore në Universitetin George mason. Ajo thotë se pabarazitë mund të zgjerohen nëse këto certifikata shëndetësore do të përdoren edhe në vendet e punës dhe në shkolla.
Po privatësia?
Konsumatorët mund të ndihen në siklet që të ndajnë informacionet mbi shëndetin e tyre, informacione këto të cilat edhe mund të hakohen, thotë Stephen Beck, menaxher në kompaninë konsulente, cg42.
“Kur vjen puna te kjo çështje, njerëzit do ta pyesin veten nëse ja vlen që të ndajnë informacione të ndjeshme të tyre në këmbim të një udhëtimi”, duke shtuar se “për shumë njerëz përgjigja në këtë pyetje do të jetë jo”.
Asociacioni Ndërkombëtar për Transport Ajror dhe kompania IBM thonë se “pasaportat” që ata kanë krijuar përdorin një teknologji, e cila mundëson që informacionet e përdoruesit të mos ruhen në një vend.
Çfarë roli do të luajë Qeveria amerikane?
Kompanitë ajrore dhe grupet e bizneseve janë duke lobuar që Shtëpia e Bardhë të marrë udhëheqjen e vendosjes së standardeve mbi lejet shëndetësore.
Ata besojnë se kjo do të shmangte konfuzionin që mund të shkaktohej në mesin e udhëtarëve nëse shumë shtete miratojë pasaporta të tilla, andaj ata besojnë se duhet të bëhet vetëm një certifikatë që do të njihej përbotshëm.
Por, administrata Biden thotë kjo është në dorën e sektorit privat dhe organizatave jopërfituese që të vendosin se si amerikanët do të dëshmojnë se janë vaksinuar apo janë testuar.
“Nuk është roli i qeverisë që të posedojë të dhëna të tilla dhe ta bëjë këtë (pasaportat e vaksinës”, tha Andy Slavitt, këshilltar i Shtëpisë së Bardhë për përgjigje ndaj pandemisë. Ai shtoi se të dhënat që japin qytetarët për këto certifikata duhet të jenë të sigurta dhe qasja në këto do të duhej të ishte falas dhe dokumente të tilla do të duhej të ishin edhe në letër dhe në formë digjitale si dhe “në shumë gjuhë”.
Për dallim nga SHBA-ja, shtetet e tjera, si Izraeli dhe Danimarka kanë rol më aktiv në këtë drejtim./REL/
Top Channel