A ishim më mirë kur ishim më keq? – Nga Evis Cerga
Kur zbrisnim me zhurmë, me shapka dhe sandale të njësojta shkallët e pallateve katërkatëshe të njësojta dhe mbanim në duar bukë me gjëra të njësojta. Dikush me vaj me sheqer, dikush me gjalpë e domate, dikush me djathë, dikush me sheqer e me ujë. Por zbrisnim ama. Zbrisnim dhe luanim nëpër rrugët e zbrazëta ku kalonin tek-tuk bicikleta komshinjsh që ngacmonin ndonjë komshije tjetër, më të rritur se ne sigurisht. A ishim më mirë?Sigurisht atëherë ne e nuk dinim, dhe as nuk donim, por as na shkonte mendja të dinim përtej botës së vogël të lagjieve dhe shkollave tona. Lagjiet dhe shkollat tona ishin gjithë bota jonë, përtej orëve të shkurtra të televizionit bardhë e zi, ku emisioni më I preferuar mbetej “Rreth tryezës së redaksisë”. Kjo ishte ironike…Asnjëherë nuk e kam parë atë emision deri në fund sepse nuk e kuptoja. Tryezën e kuptoja, redaksinë jo.Por le të mbetem tek lagjia ime, me banorët e saj të njëtrajtshëm. Me gratë me buzëkuqe të blera në kinkalerinë e lagjies, që me gjasë mund të përhapej shpejt e të ngjitej në letrën e ambalazhit, të cilat më dukeshin të bukura. Me funde e fustane të blera në MAPO-n e lagjies, jo kërkoj ndjesë, me copën e blerë aty dhe qepur tek Burbuqja, Thëllënxa e shoqe të tyre. Të gjitha dukeshin aq njësoj saqë Estrada nisi të vërë në skenë edhe skece mbi këtë temë.Atëherë nuk kishte “pub”-e. Ne kishim klubin e lagjies, por kishim edhe Klubin e Pleqve, ky I fundit, nuk e di pse më ka intriguaer vazhdimisht. Me pëlqenin pleqtë kur luanin tavëll, ndonëse dembelizmi nuk më ka pëlqyer kurrë.Në klubin e lagjies më kujtohen disa ëmbëlsira që më tërhiqnin në vecanti: hashurja, hallva dhe pasta shutat (ekleri). Një moment shumë interesant mbetej mbërritja e xhajës së akulloreve dhe mbërritja e kallupit të akullit tek klubi në qoshk. Eh, c’gëzime idioteske.
Oh, interesante ishte aroma e gomës kineze, madje edhe e rrëshirës që përdornim për të bërë “maniqyr”.
Interesante ishin kallamaret e bojës që na derdheshin në cantë dhe mund të nxisin dhe “drurin”.
Nuk ishin interesantë disa mësues që nuk vlejnë të quhen të tillë.Ishin shumë mbresëlënës mësues e edukatorë të tërë që na shtynë, “si dele” në shkolla e auditore. Dhe ne ndoqëm rrjedhën e jetës, ashtu sic dinim, ashtu sic mendonim. Pa shampo të shtrenjta e të lira, pa parfume, me Kolonja të kinkalerive, pa shumë fustane, por me fustanin me topa, që vishnim për ditëlindjet e shoqeve dhe shokëve…gjithmonë atë fustan. Pa “pub”e, por me shumë muzikë, pa shumë libra, por plot me dije, pa shumë gjëra, por me dashuri.Ndërsa sot…sot e dimë vetë të gjithë se ku qëndrojmë. Ka njerëz nostalgjikë. Sigurisht, bota është e mbushur plot me të tillë. Unë jam një ndër ta…