Seanca gjyqësore në ngarkim të Arbër Paplekës, dy ish-drejtorëve të policisë Nikollaq Palla, Albert Nushi dhe 6 efektivëve të policisë ”Shqiponja”, është shtyrë sërish.
Sipas BË, seanca është shtyrë për shkak të mosshoqërimit të Paplekës në seancë nga policia e burgjeve.
Sipas kësaj të fundit është thënë se nuk kanë kapacitete për ta shoqëruar atë në seancë, edhe pse Papleka ka dashur të jetë i pranishëm, sipas deklaratës së avokatit të tij, Marash Nartinaj.
“Jo s’kemi një arsye tonën. Është një arsye që nuk varet nga ne. Trupa e shoqërimit nuk e ka shoqëruar Paplekajn sot në seancë. Ai donte të ishte. Sipas tyre në e-mail, në njoftimin për gjykatën kështu ishte”, u tha avokati i tij gazetarëve në një prononcim pas gjyqit ku u pyet për arsyen e dhënë nga Policia e Burgjeve.
Seanca e radhës pritet të zhvillohet të premten.
Katër ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë pas një përplasjeje me armë në lagjen “5 Maji” në Elbasan.
Xhuvani ishte aktivist i PS. Nga përplasja 3 persona të tjerë u plagosën, mes tyre një efektive policie.
I akuzuar për vrasjen është ish-efektivi i RENEA-s Arbër Papleka, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj Xhuvanit gjatë shkëmbimit të zjarrit.