Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka reaguar pasi Presidenti i Republikës dekretoi 14 majin si datë zgjedhjesh.
Ai theksoi se bëhet fjalë për një zhvillim të mirëpritur demokratik, ndërsa shtoi se KQZ është gati të respektojë standardet ndërkombëtare.
“Prej kohësh kanë qenë në vëmendjen e KQZ-së për përgatitjen dhe administrimin e tyre sipas standardeve të njohura dhe të pranuara ndërkombëtare,” shkroi ai në “Twitter”.
Më tej Celibashi u shpreh se profesionalizmi, paanshmëria, transparenca dhe bashkëpunimi me partitë politike, median dhe shoqërinë civile rikonfirmohen si karakteristika themelore të veprimtarisë së KQZ-së.
Caktimi i datës së zgjedhjeve vendore të 2023 vjen pas takimeve që kreu i shtetit Bajram Begaj zhvilloi me aktorët politikë.