Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kanë nisur përgatitjet për protestën që do të nisë sot në orën 16:00.
Organizatorët po ngrejnë podiumin para kryeministrisë ku janë të shkruara mesazhet e kësaj proteste. Ndërsa janë përgatitur koreografi të posaçme si me banderola dhe me mesazhet konkrete të shkruara në to.
Ndërkohë kryetari i PD-së, Sali Berisha ka bërë thirrje për tu bashkuar. “Sot, ora 16:00 është ora e shqiptarëve. Le të bashkohemi të gjithë në protestë”
Burime nga dy selitë mësohet se në podiumin para kryeministrisë do të ngjiten rreth 20 folës, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët do të sjellin në vëmendje problematikat e vendit jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë.
Madje në foltoren poshtë zyrës së kryeministrit nuk do të mungojnë as të rinjtë, të cilët pritet të denoncojnë sipas tyre braktisjen dhe mungesën e mbështetjes nga qeveria, çka sipas tyre ka sjellë dhe braktisjen masive të vendit.
Tashmë nuk ka mëdyshje se Partia Demokratike dhe ajo e Lirisë do të jenë sëbashku në këtë aksion politik, ashtu sikurse edhe aleatët e tjerë të koalicionit opozitar.
Para protestuesve mësohet se do të mbajë qëndrimin e tij edhe kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, e po ashtu në podium do të ngjitet edhe Sali Berisha.
Megjithatë organizatorët kanë theksuar se protesta do ti japë më shumë hapësirë shoqërisë civile për të përcjellë mesazhe të qarta edhe pse si Meta dhe Berisha do të kenë zërin e tyre politik.
Ndërkohë qytetarët nga rrethet që do të marrin pjesë në protestën e pasdites së sotme të PD-së në Tiranë, po organizohen e duket se, sipas informacioneve nga degët e PD-së, do të jenë të shumtë.
Në kryeqytet janë ngritur pika kontrolli të shtuar. Prej orëve të para të mëngjesit janë shtuar patrullimet në të gjitha akset hyrëse për në kryeqytetin shqiptar.
Mbi 1 mijë efektivë të të gjitha strukturave të policisë do të jenë në terren, shumica e të cilëve do të përqëndrohet rreth e rrotull godinës qeveritare për të ndaluar çdo tentativë për dhunim të institucioneve shtetërore.