A po e përqendron PD-ja betejën kryesore për zgjedhjet e 14 majit në trekëndëshin Tiranë-Elbasan-Durrës?
Të ftuar në “Log.”, demokratët Luçiano Boçi, i cili ka shprehur kandidaturën për të hyrë në Primare për bashkinë e Elbasanit dhe Arben Ristani, anëtar kryesie i PD-së kanë pranuar se këto janë tre nga qytetet për të rëndësishme. Ristani theksoi gjithashtu se figurat politike janë ato që i duhen garave elektorale.
Boçi: Kemi një trekëndësh që ka vëmendje nga PD dhe vlera e garave në këto bashki është natyrale për shkak edhe të angazhimit të figurave të tilla. Janë procese që lindin natyrshëm aty ku dhe lufta politike është e ashpër. Lufta po kaq e ashpër është edhe në bashki të tjera. Por edhe opinion publik përqendrohet më shumë në këto bashki. PS ka një modalitet tjetër të zhvillimit të zgjedhjeve. Përqendrimi i suksesit të tyre nuk është cilësia e kandidatit dhe niveli politik. Ata mbështeten në faktorë të tjerë në arritjen e suksesit.
Ristani: Përgjigjja është menjëherë po, pavarësisht emrave sepse janë qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë. Kjo nuk do shumë mend për tu kuptuar që beteja më e madhe bëhet këtu. Figurat politike janë ato që i duhen garave elektorale./Abcnews.al/