Aksionet e IKMT-së në të gjithë vendin kanë vijuaredhe gjatë ditës së sotme, ku po prishen objektet e ndërtuara në bregdet. Lidhur me këtë aksion në Shëngjin, pronari i njërit prej objekteve të përcaktuara për t’u shembur, ka dhënë një deklaratë për mediat, ku thotë se nuk është dakord me aksionin që është ndërmarrë, pasi i disponon të gjitha dokumentet e nevojshme të objektit që ka në pronësi. 

Ai thotë se objekti është në proces legalizimi dhe se punëtorët që janë të punësuar janë të gjithë me siguracion të rregullt. Gjithashtu shtoi se ka qenë i rregullt në pagesën e taksave.

“Unë pranë këtij objekti disponoj një dokumentacion përkatës. Edhe ministri e deklaroi se të gjithë bizneseve do t’u jepet një afat kohor për të parë nëse ka mungesa. Dje më ka ardhur një shkresë nga posta ku thuhet se ky objekt është në listën e atyre që duhen prishur, në një kohë kur është në proces legalizimi dhe ka një stacion plazhi i certifikuar nga ministri i turizmit, që e vlerësoi si të tillë. Në këtë objekt punojnë punëtorë të siguruar. Kam paguar taksën e bashkisë e cila kushtëzon të paguajmë 5 mijë lekë të vjetra për metër katrorë për rërën dhe taksën e truallit.

Arsyeja pse po prishet mos ma kërkoni mua, por personave që po e bëjnë, sepse unë kam të gjitha dokumentat për këtë truall. Nuk arrij të kuptoj sesi mund të ndodhi shembja e një objekti duke lajmëruar 5 orë përpara. Këta në asnjë lloj tregu nuk mund të hyjnë në objekt, ne do të ndjekim hapat ligjore duke ju drejtuar gjykatës. Shpresojmë që të zbardhet ky akt nga ana e gjykatës.

Fuqia ime është të mbaj letrat, të kem punëtorët në rregull. Me këtë biznes mbaj familjen që prej 4 vitesh. Është edhe ajo fjala që ka thënë Rama se kush ka një banesë të vjetër mund të kthehet në vend. Ne jemi kthyer nga emigracioni, për të bërë biznes në vendin tonë, por mesa shihet nuk e realizojmë dot”– tha pronari i objektit.