Tingulli i fushës magnetike mbrojtëse të Tokës ngjan më shumë si një film thriller. Për herë të parë, siç njoftoi Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA), shkencëtarët në Universitetin Teknik të Danimarkës morën sinjale magnetike të regjistruara nga satelitët European Swarm dhe i konvertuan në tinguj.Në fakt vetë fusha magnetike rreth planetit tonë nuk mund të shihet apo dëgjohet drejtpërdrejt. Është një “flluskë” komplekse dhe dinamike që na mban të sigurt nga rrezatimi kozmik dhe grimcat e ngarkuara të “erës” së fuqishme diellore. Kur këto grimca përplasen me atome dhe molekula, kryesisht oksigjen dhe azot, në atmosferën e sipërme të Tokës, atëherë disa nga përplasjet kthehen në aurora borealis spektakolare jeshile-blu.

Fusha magnetike e Tokës prodhohet kryesisht nga një “oqean” prej hekuri të shkrirë shumë të nxehtë dhe rrotullues në bërthamën e jashtme të planetit tonë, i cili gjeneron rryma elektrike, të cilat nga ana e tyre gjenerojnë fushën elektromagnetike.

“Treshja” e satelitëve të misionit Swarm të ESA-s, të nisur në vitin 2013, studion fushën magnetike të Tokës duke regjistruar saktësisht sinjalet e saj. Studiuesit dhe muzikantët danezë përdorën këto të dhëna magnetike, si nga bërthama e Tokës, ashtu edhe nga një stuhi gjeomagnetike e krijuar pas një shpërthimi diellor, për ta kthyer atë në tinguj, të cilët tingëllojnë paksa si…një reagim në një makth.

Siç deklaruan ata, qëllimi i tyre nuk është t’i trembin njerëzit, por t’u kujtojnë se fusha magnetike ekziston dhe, megjithëse tingëllon disi alarmante, në fakt jeta në Tokë varet nga ajo. Një seri altoparlantësh në sheshin Solbjerk të Kopenhagës do të transmetojnë periodikisht tingujt e fushës magnetike gjatë gjithë javës së 24-30 tetorit. /abcnews